Ukrainasi, Oleksander Usyk është kampioni absolut pasi fitoi me pikë ndaj anglezit, Tyson Fury. Një triumf spektakolar në Kingdom Arena të Riadit, në një ndeshje që u ndoq nga shumë yje të botës së sportit dhe jo vetëm.

Dominimi i Fury ishte i dukshëm në shumicën e duelit, gjithsesi, atëherë kur duhej, ukrainasi 37-vjeçar kishte energjinë për të goditur më shumë, por edhe dëshirën për të luftuar duke marrë vetëm 3 pikë në shumë në vlerësimin përfundimtar.

Emocionet më të forta u përjetuan në raundin e nëntë. Teksa Fury ishte në prag të ‘knock out’ teknik, Usyk vijonte me goditjet e tij të sakta dhe të qarta gjithsesi pa mundur t’i jepte ciganit britanik goditjen fatale.

Kjo bëri që të zhvilloheshin të plotë edhe 3 raundet e tjera.

Në fund Fury u mposht për herë të parë në karrierën e tij, por nga ana tjetër rikthimi në ring në një ndeshje të tillë i siguroi një shpërblim prej 105 milionë dollarësh.

Kjo fitore i siguroi Usyk titujt e peshave të rënda në federatat prestigjioze të boksit IBF, WBA, WBC, dhe WBO.

Ndërsa sipas marrëveshjes ekonomike Usyk përfitoi 45 milionë Dollarë.

Situata mund të ndryshojë pasi në muajin Tetor është paralajmëruar ndeshja e revanshit mes dy boksierëve.

Tv Klan