Nënsekretarja amerikane e shtetit për Diplomaci Publike, Liz Allen, tha të dielën në Prishtinë se përparimi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është thelbësor për integrimet euro-atlantike të Kosovës.

“Ne mund të mbështesim më së miri rrugën e Kosovës drejt institucioneve evropiane dhe euroatlantike, kur gëzojmë një bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim dhe e di se kjo është me rëndësi për ju. Diskutuam për hapin thelbësor në rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës duke ecur përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha zonja Allen.

Një marrëveshje e arritur vitin e kaluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, parashihte mes tjerash që Prishtina të fillojë punën për themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Kosova nuk hodhi hapat e kërkuar, ndërsa Serbia u vu në fushatë për të penguar anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.

Kosova nuk u vu në rend të ditës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pasi një pjesë e vendeve anëtare ritheksuan se kusht për përparimin e Kosovës është hedhja e hapave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Diplomatët perëndimorë shpesh janë shprehur të shqetësuar për mundësinë që problemet e pazgjidhura mund të krijojnë hapësirë për veprime keqdashëse në rajon.

Nënsekretarja Allen tha se mbrojtja e rajonit nga dezinformatat mbetët përparësi e punës së saj ndërsa së bashku me presidenten Vjosa Osmani nënshkruan një marrëveshje mirëkuptimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës kundër keqpërdorimit të informacionit nga shtetet e huaja.

“Ne e dimë se qeveritë autoritare manipulojnë informacionin dhe përhapin dezinformata për të ndikuar tek njerëzit në mbarë botën për të mbjellë kaos e ndarje dhe për të ulur besimin në institucione, veçanërisht në institucionet demokratike. Siguria dhe qëndrueshmëria në Evropën jugore dhe jug qendrore veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, janë përparësi kryesore që i kam theksuar në çdo ndalesë të udhëtimit tim në rajon”, tha ajo.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se marrëveshja e nënshkruar është dëshmi e fuqizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Dezinformatat dhe sulmet kibernetike tashmë janë bërë pjesë e pandashme e luftës hibride të forcave dashakeqe për realizimin e agjendave gjeopolitike të autokratëve të cilët përmes tyre synojnë që të sjellin destabilitet, mosbesim dhe polarizim. Fatkeqësisht as Kosova nuk është kursyer nga këto sulme, të cilat sa vijnë e intensifikohen si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon nëpërmjet satelitit të saj Serbisë. Kjo, jo vetëm që është shqetësuese, por paraqet rrezik aktiv për destabilizim të rajonit tonë”, tha presidentja Osmani.

Marrëveshja synon lehtësimin e informacionit ndërmjet dy vendeve, zhvillimin e strategjive për t’iu kundërvënë kërcënimeve të manipulimeve të informacionit dhe zhvillimin e mjeteve teknike dhe kapaciteteve njerëzore për një gjë të tillë./VOA