Autoritetet shëndetësore miratojnë kërkesën e FSHB

Basketbolli në vend do të nisë pas një ndërprerje të gjatë. Ministria e Shëndetësisë miratoi kërkesën e kësaj federate për t’u rikthyer në sallat sportive pas ndalesës që nisi në fillimin e Marsit të kaluar.

Autoritetet i janë përgjigjur pozitivisht letrës së dërguar më 11 Janar nga FSHB që kishte ngulmuar për të zhvilluar aktivitetin normal. Ndalesat për shkak të Covid-19 i krijuan probleme skuadrave në vend që duhet ende të bëjnë planin se kur do të nisin takimet.

Ndeshjet do të mbahen natyrisht duke respektuar protokollet shëndetësore. Disa basketbollistë janë larguar në kampionate të tjerë për shkak të pengesës për të luajtur në Shqipëri. Këtë problem e përjetuan edhe skuadrat kombëtare.

Përfaqësuesja e femrave nuk mori pjesë në garat ndërkombëtare, ndërsa meshkujt u paraqitën pa një grumbullim të organizuar në takimet që u zhvilluan në Portugali.

Tv Klan