Ambasadat e SHBA-së dhe BE-së në Tiranë kanë dënuar dhunën që ka ndodhur këtë të premte gjatë protestës para Bashkisë së Tiranës. Ambasada amerikane në një deklaratë të lëshuar në rrjetet sociale tha se aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune si dhe përgëzuan zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme”, tha ambasada e SHBA-së.



Edhe BE reagoi duke u shprehur se akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.

“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, tha delegacioni i BE-së në kryeqytet.



Në lidhje me këtë rast reagoi edhe ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.

“Skenat jashtë Bashkisë së Tiranës sot dhe përdorimi i koktejeve molotov nuk kanë vend në demokraci. Ambasada Britanike dënon përdorimin e dhunës dhe aktet e frikësimit. Mbretëria e Bashkuar vazhdon të kërkojë që të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet të kryhen përmes proceseve demokratike, pa dhunë dhe se duhet respektuar sundimi i ligjit”, deklaroi ambasada.



Kujtojmë se ditën e sotme gjatë protestës para Bashkisë së Tiranës u hodhën molotovë ndërsa disa tubues tentuan të shkatërrojnë rrethimin e hekurt. Mes tyre kishte edhe përfaqësues të opozitës që kërkonin të futeshin brenda bashkisë./tvklan.al