Bashkimi Europian i propozon Kosovës heqjen e tatimit me 100% të vlerës për produktet serbe. Në këmbim, Brukseli premton se do të nxisë Serbinë të lejojë hyrjen e mallrave me mbishkrimin “Kosova” shoqëruar edhe me shpjegimin përkatës të statusit të vendit, çka do të zëvendësojë vulën e UNMIK-ut. Por qeveria e Kosovës këmbëngul se nuk do t’a ndryshojë vendimin deri në njohjen nga Serbia të pavarësisë së Kosovës.

Propozimi i Brukselit vjen përmes një letre që komisionerët Hahn, Malmstrom dhe Mogherini i dërguan qeverisë kosovare, ku kërkohet që taksa të pezullohet deri më 17 Dhjetor, ditën e mbledhjes së këshillit të stabilizim-asocimit.

“Komisioni Europian është i gatshëm të krijojë një format të veçantë dialogu për ju dhe Serbinë për të gjetur urgjentisht një zgjidhje konkrete dhe praktike për çështjet tregtare, që kanë krijuar shqetësime.”

Zëdhënësi i kryeministrit Avni Arifi, i cituar nga mediat kosovare, ka lënë të kuptohet se e refuzon kërkesën e komisionerëve.

“Letra nuk përmban asnjë rresht me ndonjë qëndrim që nuk është i njohur për qytetarët e Kosovës. Të gjitha qëndrimet e qeverisë së Kosovës janë të njohura për qytetarët.”

Në 21 Nëntor, kryeministri Haradinaj nënshkroi vendimin për tatimin me 100% të vlerës për mallrat serbe dhe boshnjake si masë reciproke ndaj këtyre vendeve që nuk lejojnë hyrjen e produkteve që mbanin mbishkrimin Republika e Kosovës.

Tv Klan