“Get Ready With Me”

Ky është padyshim trendi që i ka përfshirë thuajse të gjitha vajzat që janë aktive në rrjetet sociale, veçanërisht në Tik Tok.

Bëhuni gati me mua, për një takim, intervistë pune apo për një festë”. Këto janë frazat që dëgjojmë shpesh nga blogeret të cilat na ekspozojnë pjesë të vogla të përditshmërisë e çuditërisht njerëzit kanë interes për video të tilla. “Për krijuesit, ky është një mjet për të rrëfyer histori” thotë Earnest Pettie, një ekspert i tendencave në YouTube.

Fitimet

Mundësia e biznesit për të përfituar nga këto video është masive. Pas përmbajtjes së “përgatitjes” fshihen mesazhe të tjera, më komerciale.

Në vitin 2023 hashtagu  #GRWM ka marrë mbi 165 bilion shikime në Tik Tok. Një nga personat e parë që realizoi një video të tillë ishte Shaaanxo në vitin 2010, ndërsa tani që trendi ka arritur kulmin, Alix Earle dhe Katie Fang janë personazhet më të njohura.

Të famshmit shpesh promovojnë markat e tyre. Në prill, modelja Sofia Richie Grainge iu bashkua TikTok dhe postoi një seri videosh “Get Ready with Me” për t’iu ofruar fansave një pamje të brendshme të dasmës së saj.

Banka e investimeve tha në një raport në fillim të këtij viti se “ekonomia kreative” vlen sot 250 miliardë dollarë dhe mund të dyfishohet deri në vitin 2027.

Si nisi?

Në vitet e para, njerëzit thjesht bënin grim para kamerës. Menjëherë pas kësaj, videot evoluan në atë që shihen sot, krijuesit e përmbajtjeve flasin me ndjekësit e tyre për çdo gjë që kanë në mendje.

Një nga influencueset më të njohura në këtë fushë është 22-vjeçarja Alix Earle, e cila ndan me ndjekësit çdo gjë, që nga “sfida” me puçrrat, çrregullimet e të ngrënit, sulmet e panikut apo netët e qeta me miqtë. Ajo ka afro 6 milionë ndjekës në TikTok.

Alisha Rei, është një modele e cila jeton në Toronto dhe thotë se dëshiron të krijojë përmbajtje virale në rrjetet sociale për ta ndihmuar në karrierë. Sipas saj ky trend “thith” shumë audiencë.

Allie Pribula, një TikTokere 25-vjeçare e cila dikur ishte mësuese e shkollës fillore në periferi të Filadelfias, thotë se që kur filloi të bënte video GRWM, disa kompani e kontaktuan për t’i ofruar dhurata.

Sigurisht ky vetëpublikim ka rreziqet e veta. Gjykohen shumë gjëra njëherësh, pamja, zëri, opinioni e në fund stili i jetesës. Sa më i sinqertë të jetë dikush para kamerës, aq më shumë njerëz do e ndjekin dhe po aq shumë do e kritikojnë. Pra shkon kështu, ti jep nga vetja dhe të tjerët të përgjigjen….

Marrëdhënia me ndjekësit shkon përtej asaj videos 3 minutëshe. “Get ready with me” bëhet si një kënd ku njerëz të ndryshëm ngacmojnë duke u fshehur pas një tastiere.

Ekspertët thonë se të qenit vetvetja edhe në momentin që filmon veten, thyen stereotipet e përsosmërisë. Nisur që nga mungesa e një filtri dhe të qenit totalisht spontane. Është vënë re se në video të tilla, qasja e ndjekësve është më pozitive. Përtej shpërblimeve financiare, njerëzit duan të kenë dhe feedback të mirë.

Po a është ky trendi ku njerëzit gjenden më komod?

Janë video që si qëllim nuk kanë “destinacionin”, por “rrugëtimin”. Videot “GRWM” janë argëtuese. Njerëzit mbajnë edhe shënime kur vjen puna te makiazhi apo flokët. Hasim shpesh dhe blogere që na tregojnë produket që duhet t’i përdorim, ose ato që nuk i rekomandojnë aspak. Kjo është dhe arsyeja që për video të tilla, sponsorat nuk ngurrojnë aspak. Një tjetër faktor që e bën kaq të pëlqyeshëm trendin është fakti se duket sikur njerëzit kanë akses në intimitetin e dikujt.

“Trendi” ka mbi 10 vjet që qarkullon. Është fitimprurës për krijuesit e nga ana tjetër atraktiv e informues për konsumtarorët. E shohim kudo, dhe ka një fuqi që zor se e zbeh koha…

E.D/tvklan.al