Pas 16 muajsh pa qeveri dhe me një administratë të përkohshme, sot Belgjika arriti të formojë qeverinë e re. Pas disa javësh bisedimesh, shtatë parti belge ranë dakord të formojnë një koalicion të ri.

Kryeministri i Belgjikës do të jetë ministri i përkohshëm i Financave Alexander De Croo dhe qeveria në krye me të do të zëvendësojë administratën e përkohshme të Sophie Wilmes, e cila ishte emëruar në fillim të epidemisë së koronavirusit.

Kryeministri i ri De Croo është 44 vjeç dhe vjen nga një familje e përfshirë thellë në politikë. Ai gjatë kohës së pandemisë ishte pjesë e administratës së përkohshme dhe kishte drejtimin e financave duke ndihmuar kështu në trajtimin e krizës së COVID-19.

De Croo pas përzgjedhjes si kryeministër, ka dalë me një deklaratë të shkurtër për gazetarët dhe është drejtuar me fjalët se: “Ne kemi bërë atë që dukej e pamundur për shumë gjatë, në vendin tonë … përkatësisht formimin e një qeverie federale”.

Qeveria e De Croo do të fillojë zyrtarisht punën nesër, pas betimit që do pranojë ai dhe kolegët e tij ministra nga Mbreti Philippe.

Belgjika nuk ka pasur një qeveri të plotë që nga viti 2018, kur u prish koalicioni i përbërë nga katër parti që ishte në pushtet./tvklan.al