Pak ditë në emisionin “Stop” në Tv Klan, u transmetua situata me testimet dhe mjekimet kaotike për COVID-19. Shqetësimi i radhës vjen nga Gjirokastra, ku pas bërjes së tamponit, ndonëse kanë kaluar shumë ditë, përgjigja nuk ka ardhur.

Një denoncuese, e cila kërkon të mbetet anonime, thotë, se tamponin e ka bërë në 31 tetor,por nuk ka marrë përgjigjen. Kur është interesuar, i kanë lëshuar një vërtetim nga ISHP Gjirokastër, ku thuhet, se duhet të qëndrojë në shtëpi e izoluar 15 ditë. Vajza tregon, se përveç ankthit, nëse është me COVID, ka edhe merakun e mosmarrjes së mjekimit, shëndetin e familjarëve dhe problemin e punës.

Qytetarja: Përshëndetje, “Stop”! Jam këtu për të denoncuar një rast në lidhje me tamponin, që kam bërë më datën 31 tetor. Ende nuk më ka ardhur një përgjigje. Më kanë thënë, që rezultati nuk ka ardhur, duhet të presësh minimumi 2 javë. Më kanë dhënë edhe një vërtetim. Kjo gjë, më ka sjellë shumë probleme në lidhje me punën, jam bërë e pabesueshme, në lidhje me familjarët, që nuk e dinë, nëse jam apo jo me COVID, dhe kjo më sjell shqetësim, se s’mund të kujdesem, apo të kujdesen për mua, nuk mund të shkoj në spital, pasi kam frikë!

Gazetarja: Sa ditë kanë kaluar?

Qytetarja: Nga data 31 tetor deri në datën 10 (nëntor), sot 11 ditë.

Gazetarja: 11 ditë ankthi, nuk ke asnjë përgjigje?

Qytetarja: Pikërisht! Dhe përveç ankthit, që unë kam, nëse jam me COVID apo jo, kam frikë edhe për punën, se normalisht jam bërë si person i pabesueshëm, për të vërtetuar që kam patur vërtetë këtë shqetësim.

Gazetarja: Si je mjekuar këto 10 ditë?

Qytetarja: Kam marrë vetëm vitamina dhe antibiotikë.

Gazetarja: Sepse ti nuk e di nëse je me COVID?

Qytetarja: Pikërisht! Kam marrë thjesht mjekim për ftohjen. Unë nuk e kuptoj qëllimin e këtij vërtetimi, që duhet të qëndroj 15 ditë në shtëpi, ndërkohë që 14 ditë të qëndrosh në karantinë, nëse je pozitiv. S’e kuptoj, pse duhet të pres 15 ditë të dalë përgjigja e tamponit. Kjo, s’ka pikë logjike! Nuk më vlen fare ajo përgjigje! Ajo, që mua më shqetëson, është vonesa e tamponit, prandaj kjo është një kërkesë, që më tepër i drejtohet Ministrisë së Shëndetësisë, që të marrë masa në lidhje me përgjigjet e tamponit.

Lidhur me këtë rast “Stop” ka pyetur specialisten e ISHP Rajonale Gjirokastër, e cila shprehet sërish, se ende nuk ka dalë përgjigja, ndaj vajza duhet të qëndrojë brenda 15 ditë.

Specialistja: Nuk i ka dalë përgjigja!

Gazetarja: Nuk i ka dalë përgjigja?

Specialistja: Po!

Gazetarja: Po ka një vërtetim që të të rri në shtëpi për 15 ditë, pse?

Specialistja: Po të them diçka, dihet që po plotësoi 14 ditë, do rri dhe 3 ditë, për shembull për 2-3 ditë të tjera, edhe i bie, që ajo nuk rrezikon as të infektojë të tjerët, por dhe vetë e ka kaluar COVID-in.

Gazetarja: Po ç’kuptim ka përgjigja?

Specialistja: Po pra po!

Gazetarja: Se ti je ke më shumë informacion se unë në këtë fushë?

Specialistja: Po, po, po. Unë nuk e di, se çfarë përgjigje të të jap, prandaj të them, që të flasësh me shefin. Ato i dinë akoma më mirë.

Ndërkohë Arenc Brahimi, shefi i Epidemiologjisë ISHP Gjirokastër, argumenton, se përgjigja është vonuar nga ISHP qendrore.

Gazetarja: Në datë 31 Tetor ka bërë tamponin, ideja është që nuk ka marrë asnjë përgjigje?

 Shefi Arenc Brahimi: Nuk i ka dalë përgjigja, zonjë!

Gazetarja: Pse ka vonuar kaq shumë?

Shefi Arenc Brahimi: Ngaqë nuk e bëmë neve, o zonjë!

Gazetarja: Kush e ka bërë?

Shefi Arenc Brahimi: Nuk e di, kush e ka bërë!

Gazetarja: Zotëri unë shikon firmën time në fund të këtij vërtetimi.

Shefi Arenc Brahimi: Urdhëro!

Gazetarja: Që të rrijë 15 ditë në shtëpi.

Shefi Arenc Brahimi: Po ka pasur shenja për COVID, normal, që do rrijë në shtëpi.

Gazetarja: Edhe nëse është negative, duhet të rrijë në shtëpi?

Shefi Arenc Brahimi: Normal, që do rrijë në shtëpi.

Gazetarja: Po nëse negative, rri kot?

Shefi Arenc Brahimi: Jo, nuk ka shanse, që të rrijë në qoftë se nuk është!

Gazetarja: Po pse nuk e shënuar aty tel rezultati përgjigjen?

Shefi Arenc Brahimi: Po në qoftë se s’i ka dalë rezultati, si ta shkruajmë ? Të hedhim fall, ka apo s’ka?

Gazetarja: Po koordinohuni juve.

Shefi Arenc Brahimi: I nxjerr ISHP-ja o zonjë, nuk i bëjmë ne. I bën Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë./tvklan.al