Në programin “Rudina”, në TV Klan këtë pasdite ishin të ftuar tre nëna, të cilat kanë folur në studio për dilemat dhe eksperiencat si nëna të reja. Bëhet fjalë për këngëtaren Vanina Çala, kryeredaktoren e Newsbomb Anta Muçaku dhe Ticiana Kushi, specialiste laktacioni.

Viti i parë i fëmijëve është konsideruar si viti më i vështirë për të gjitha mamatë, teksa shqetësimet e tyre lidhen me shumë dilema: dhënia e qumështit të gjirit, dhimbjet e barkut të fëmijës, mungesa e gjumit, vaksinat, apo edhe temperatura.

Ticiana Kushi specialiste laktacioni dhe mentore gjumi është nënë e tre fëmijëve. Ajo ka dy djem, Ridley dhe Bradley dhe një vajzë të vogël 4 muajshe Helia. Ticiana jep një informacion të vlefshëm për të gjitha nënat e reja në ushqyerjen e fëmijës së tyre më qumësht gjiri, duke përmendur gjithë benefitet që vijnë prej tij, si për bebin ashtu edhe për nënën.

“Këshilloj për të gjitha nënat qumështin e gjirit, për të gjitha benefitet që qumështi i gjirit jep, për pjesën e sistemit imunitar, për benefitet gjithashtu që u jep edhe nënave, jo vetëm bebit. Nënat reduktojnë shanset për t’u prekur nga kanceri i mitrës, nga kanceri i gjirit. Madje një studim i fundit, që ishte bërë këto ditë tregonte se bebet e ushqyera me qumësht gjiri gjithashtu luftojnë ehe koronavirusin, që tani na është bërë një panik i madh, por që bebet e ushqyera me qumësht gjiri ishin më shumë të mbrojtur nga ky virus. Duke qenë se fëmija është i lidhur në një cikël të mbyllur me nënën, pra në një rreth të mbyllur, që do të thotë që çfarëdolloj viroze që merr nëna, ajo përcillet tek bebi dhe në këtë mënyrë nëna përveçse ushqen bebin, ajo ushqen edhe antitrupat drejt trupit të vet. Pra i kalon bebes antitrupa dhe bebja fiton imunitetin duke luftuar më lehtë të gjitha virozat e ndryshme që mund të preket, apo infeksionet që mund të preket gjatë muajve të parë të jetës, apo vitit të parë.”/tvklan.al