Ish-Kryeministri Sali Berisha ka publikuar në Parlament deklaratat e pasurisë së Kryeministrit Edi Rama për vitet kur ka qenë në krye të Bashkisë së Tiranës.

“Në 2004 nuk ka asnjë konto bankare. Nuk ka deklaruar asnjë qindarkë cash. Në 2005 nuk ka deklaruar asnjë konto bankare, asnjë qindarkë cash. Nuk ka as banesë. Në 2006 nuk deklaron asgjë, as kursime, as dhurata, as prona. Nëse janë të falsifikuara unë mbaj përgjegjësi. Në 2008 llogari bankare 40.938 Lekë, 2937 Euro. Ja ku e keni pronarin e sarajeve të Surrelit. Në 2008 llogari rrjedhëse nga 3 mijë mbetën 1424 Euro

“, deklaroi Berisha.

Reagimi i ish-Kryeministrit vjen pas deklaratës së Ramës që tha se vilën e ka ndërtuar me kursimet e emigracionit, pasi u pyet nga studentët e Universitetit të Vlorës.

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Berisha e konsideroi protestën e studentëve si “flamurin e shpresës” që u kanë rikthyer qytetarëve.

“Së pari dëshiroj t’u dërgoj përshëndetjet më të zjarrta studentëve të Vlorës të cilët i dhanë mashtruesit leksionin e të vërtetës. I treguan atij se cili është debati dhe thelbi i tij. Të përshëndes nga zemra studentët e Elbasanit, që i thanë nuk ka vend për ty në Elbasan. Të përshëndes sot studentët e Universitetit të Mjekësisë që i mbyllën dyert krye kreut të krimit për pseudodialogun e tij, të përshëndes ata qindra mijëra studentë shqiptarë që janë sot në grevën më të madhe që nga viti ’91.

Kanë bojkotuar mësimin, auditoret, po i bien në të katërt anët boritë e shpresës, po zgjojnë te shqiptarët shpresën. Flamuri i tyre është flamuri i shpresës. Mjerë ju ku do shkoni, jeni vetëm në fillim. Asgjë s’mund të ndalë uraganin e studetëve shqiptarë. Përballë kësaj pranvere, përballë këtij uragani qëndrojnë ata të cilët janë përgjegjës për dëmin e arsimit shqiptar”.

Ish-Kryeministri akuzoi edhe ministren e Arsimit për buxhetin e Universitete.

“Dil thuaju studentëve si e ndërtove vilën brenda dy viteve, nga i gjete paratë. Shko thuaju studentëve se ke shpenzuar 15 milionë Euro për rikonstruksionin e godinës, për kolltuqe dhe tualete. Shko thuaj studentëve pse bllokove për tre vite Masterat dhe i çove të gjitha në universitetet private për të ndarë me to shumat e majme”.

Në mbyllje të fjalës, ish-Kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje deputetëve që të votojnë për ta bërë Universitetin publik pa tarifa. 

/tvklan.al