Sipas ish-kryeministrit Sali Berisha testimet për zbulimin e koronavirusit mund të bëheshin në 10-15 qendra në vendin tonë.

Gjatë emisionit “Zonë e Lirë”, Berisha tha se janë disa spitale që mund të bëjnë testimet me PCR. Këtu ai renditi atë të Shkodrës, Vlorës, Durrësit e Korçës.

Duke iu përgjigjur pyetjes së Arian Çanit, se çfarë do të bënte po të ishte në vend të Edi Ramës, Berisha tha se do t’i linte që të bënin testime edhe spitalet private. Madje sipas tij, është mashtrim deklarata e Ramës që laboratorët duhet të certifikohen nga OBSH për të bërë analiza.

Arian Çani: Doktor ti në vend të Ramsit, a do t’i lejoje spitalet private të bënin testime?

Sali Berisha: Pa përjashtim. Spitalet private dhe qendrat e tjera sepse shqiptarët duhet ta dinë se testimet me PCR mund të bëhen në spitalin publik të Shkodrës, spitalin publik të Durrësit, spitalin publik të Vlorës, spitalin publik të Korçës. Pra janë disa qendra. Fatkeqësisht sikur të mos monopolizoheshin në duart e kryeepidemiologut siç e ka shpallur Ramsi veten, këto testime mund të bëheshin në 10-15 qendra përveç spitaleve private që edhe ato mund të bëjnë. Është një mashtrim me çizme ajo që thotë se nuk kanë certifikimin e OBSH-së. Nuk është kurrë e vërtetë që duhet të certifikohen nga OBSH për të bërë analizat e tyre në asnjë mënyrë. Gënjeshtër e paskrupullt./tvklan.al