“Ekonomia do të rritet, pavarësisht pasigurive politike”. Kështu e nis raportin e majit për parashikimin e zhvillimeve ekonomike Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Për rajonin e Europës Juglindore ekonomia në të gjitha shtetet do të përshpejtohet gjatë 2017-ës më shumë se një vit më parë. Përjashtim bën vetëm Bosnja – Hercegovina dhe Mali i Zi.

“Por këto projeksione janë pjesë e një risku të madh që lidhet me situatën dhe tensionet gjeopolitike në rajon. Në përgjithësi, klima globale shoqërohet nga një rritje e pasigurive politike, e cila nuk është përllogaritur në parashikimet që ne po bëjmë për këto ekonomi”, thotë raporti.

Për Shqipërinë, BERZH shkruan se rritja e ekonomisë do të jetë në nivelin 3.5%, e njëjtë me atë të vitit të shkuar. “Disa projekte në sektorin e energjisë janë duke avancuar dhe po japin kontribut në rritjen ekonomike dhe shtimin e kërkesës, por sërish risqe potencialë të brendshëm janë të pranishëm”, thotë BERZH për vendin tonë. 

Banka Europiane mbetet optimiste për ekonominë ne vendet e Ballkanit, por thekson se situata politike në rajon mund të trembë turistët dhe të largojë investitorët e huaj./Tv Klan