Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka nënshkruar paketën e ndihmës për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin që shkon deri në 95 miliardë Dollarë.

“Do ta bëjë Amerikën më të sigurt, do ta bëjë botën më të sigurt”, tha ai pasi dekretoi paketën e ndihmës. Presidenti amerikan tha se SHBA do të dërgojë menjëherë armë dhe pajisje për të ndihmuar Kievin që të shmangë përparimet ruse në luftë.

Biden foli një ditë pasi Senati amerikan aprovoi paketën e ndihmës pas disa muajsh bllokimi në Kongres. Ukraina rriti muajt e fundit thirrjet e saj për ndihmë nga Perëndimi, ndërsa Rusia ka korrur disa fitore në pushtimin e saj.

“Pas më shumë se 6 muajsh punë intensive dhe shumë kthesave në rrugë, Amerika i dërgon një mesazh gjithë botës: Ne nuk do ua kthejmë kurrizin”, tha Lideri i Demokratëve në Senat, Chuck Schumer.

Senati kishte kaluar një paketë të ngjashme ndihme edhe në Shkurt, por një grup konservatorësh që kundërshtojnë mbështetjen e re ndaj Ukrainës e kishin ndaluar të votohej në Dhomën e Përfaqësuesve.

Javën e kaluar, demokratët dhe republikanët në Dhomën e Ulët u bënë bashkë për të shmangur këtë kundërshtim. Ata më në fund u dakorduan për një projektligj që përfshinte ndihmën si dhe legjislacionin për konfiskimin e aseteve ruse të mbajtura në bankat perëndimore, sanksione të reja ndaj Rusisë, Iranit dhe Kinës si dhe një dispozitë që do të detyrojë kompaninë kineze ByteDance që të shesë TikTok në Amerikë.

Paketa e ndihmës e miratuar së fundmi do t’i alokojë 17 miliardë Dollarë Izraelit si dhe 9 miliardë për civilët që po vuajnë nga konfliktet rreth e rrotull botës, duke përfshirë palestinezët në Gaza. 8 miliardë të tjera janë dhënë për aleatët në Paqësorin Aziatik, duke përfshirë Tajvanin për të përballur Kinën komuniste./tvklan.al