Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e ushtrisë rrëzuan ditën e sotme 4 raketa me rreze të gjatë veprimi të Ukrainës. Sipas forcave ruse raketat e rrëzuar janë prodhim i SHBA-ve.

Armët janë të njohura si Sistemet e Raketave Taktike të Ushtrisë, “ATACMS”, që Uashingtoni i ka dërguar Ukrainës javën e kaluar në kuadër të paketës së ndihmës për të forcuar ushtrinë ukrainase. Ministri rus e bëri lajmin publik ditën e sotme, por pa dhënë më shumë detaje.

Ndërkaq ditën e martë u mësua se Ukraina kishte sulmuar Krimenë me raketa të prodhimit amerikan, në një përpjekje për të mposhtur mbrojtjen ajrore ruse të gadishullit.

Ndihmat që ka ofruar SHBA për Ukrainën shpesh janë kundërshtuar dhe kritikuar për mënyrën e vazhdimësisë së luftës, por ndihmat megjithatë erdhën si rezultat i shumë kërkesave që Ukraina u drejtoi aleatëve të saj për të përballuar sulmet e adresuara nga Rusia.

Muajin e kaluar një zyrtar amerikan tha në Uashington se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dërguar në mënyrë të fshehtë Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi.

“Raketat ATACMS, me rreze veprimi deri në 300 km u përdorën për herë të parë në orët e para të 17 prillit, të lëshuara kundër një aeroporti rus në Krime që ishte rreth 165 km nga linjat e frontit ukrainas,” tha zyrtari amerikan.

Pentagoni fillimisht kundërshtoi vendosjen e raketave me rreze të gjatë veprimi, i shqetësuar se marrja e raketave nga stoku amerikan do të dëmtonte gatishmërinë ushtarake të SHBA./tvklan.al