Presidenti Joe Biden i ka ofruar mbështetje të hekurt Izraelit mes frikës se Teherani mund të nisë hakmarrje për një sulm që vrau komandantë iranianë.

Biden paralajmëroi se Irani po kërcënon të nisë një sulm pasi Izraeli goditi konsullatën iraniane në Siri 10 ditë më parë. “Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur sigurinë e Izraelit”, shtoi ai.

Kryeministri iranian ka bërë të ditur se sulmi izraelit në Damask ishte i barabartë me një sulm ndaj vetë Iranit. “Kur ata sulmuan zonën tonë të konsullatës, ishte sikur ata sulmuan territorin tonë,” tha Ayatollah Ali Khamenei në një fjalim televiziv.

Që Irani të godasë drejtpërdrejt Izraelin do të rrezikonte një përshkallëzim edhe më të madh të konfliktit dhe analistët kanë thënë se Irani nuk ka aftësinë ushtarake për një konfrontim. Një alternativë e mundshme është një sulm nëpërmjet një përfaqësuesi iranian si Hezbollahu, i cili shpesh kryen sulme më të vogla ndaj Izraelit nga Libani fqinj. Javën e kaluar një zyrtar iranian paralajmëroi se ambasadat e Izraelit nuk ishin më të sigurta, duke paralajmëruar se një konsullatë mund të ishte një objektiv i mundshëm.

Ekspertët kanë deklaruar se Irani mund të synojë Izraelin me një sulm kibernetik. Trembëdhjetë persona u vranë në sulmin e 1 Prillit në ndërtesën e konsullatës iraniane, duke përfshirë udhëheqës të lartë ushtarakë iranianë. Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por gjerësisht konsiderohet se qëndron pas tij. Forcat amerikane dhe izraelite në rajon janë vënë në gatishmëri të lartë këto ditë.

Komentet e Biden erdhën ndërsa ai mbajti një konferencë në Shtëpinë e Bardhë së bashku me kryeministrin japonez Fumio Kishida. Mes të tjerash Biden u kërkoi militantëve të Hamasit të pranojnë propozimin e fundit për një armëpushim të përkohshëm në Gaza në këmbim të lirimit të disa pengjeve.

“Propozimi i ri në tryezë. Tani i takon Hamasit. Ata duhet të lëvizin dhe siç thashë ne do t’i kthejmë pengjet në shtëpi ku e kanë vendin. Por gjithashtu do të rikthejmë një armëpushim gjashtë javor që na duhet tani.”

Kreu i Shtëpisë së Bardhë Biden tha se kishte qenë i hapur dhe i drejtpërdrejtë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu duke theksuar nevojën që Izraeli të lejonte më shumë ndihmë humanitare.

Ndërkaq Hamasi ka akuzuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se ka minuar bisedimet e armëpushimit pasi tre djemtë dhe katër nipërit e liderit të Hamasit Ismail Haniyeh u vranë në një sulm ajror izraelit në veri të Gazës.

Klan News