Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi të akuzuar për çështjen e ish-klubit Partizani.

Në përfundim të seancës, avokat i Berishës, Genc Gjokutaj tha se ata kanë humbur disa beteja, por jo luftën, ndërsa shtoi faktin se SPAK po sillet si një parti politike.

“Ky është një skandal më vete ndërkohë që lideri i opozitës vijon në “arrest në shtëpi” pa u zhvilluar hetime, pa u administruar prova të reja të cilat gjithsesi përcaktojnë edhe nevojat e sigurimit, por edhe fatin e çështjes se çfarë do të bëhet. Ne nuk kemi humbur në shkallët e gjykatave ne kemi dokumentuar shkeljet skandaloze të këtyre gjykatave. Të konstatosh shkeljet e këtyre gjykatave do të thotë që sepse janë humbur disa beteja në fakt, por nuk është humbur lufta. Pavarësisht se SPAK- u po sillet si një parti politike është tjetër histori kjo, megjithatë ne do të ndjekim rrugën ligjore që është i vetmi mjet i sigurtë që na çon te e vërteta dhe te ajo e drejtë që kërkojmë. Këta le të vazhdojnë me këtë verb politik që bëjnë sikur nuk shikojnë e nuk dëgjojnë por në fund do ta marrin përgjigjen”, u shpreh avokati Gjokutaj.

Klan News