Sulmuesi i Portos, Moussa Marega, la lojën përgjysmë në ndeshjen e së dielës kundër Vitoria Gumaraes duke thënë se ishte subjekt i thirrjeve raciste nga tifozët. 28-vjeçari u nis të shkonte drejt dhomave të zhveshjes në minutën e 69, 9 minuta pasi shënoi golin që do t’i jepte fitoren Portos.

Gjatë momentit të daljes nga fusha, ai uli poshtë gishtin e madh dhe ua drejtoi tifozëve ndërsa në një moment u tregoi edhe gishtin e mesit. Lojtarët e skuadrës, por edhe ata kundërshtarë u munduan ta bindnin që të qëndronte në fushë, por ai nuk pranoi. Në fund skuadra vendosi që ta zëvendësojë.

Në një postim në Instagram, Marega tha se tifozët vendas që kishin shkuar në stadium për të bërë thirrje raciste ishin idiotë. Për këtë ngjarje reagoi edhe presidenti i Portos Sergio Conceicao.

“Ne jemi një familje pavarësisht kombësisë, ngjyrës së trupi apo të flokëve. Jemi njerëz, meritojmë respekt. Çfarë ndodhi aty është e pafat. Jemi shumë të indinjuar nga ajo që ndodhi. E kuptoj pasionin që ekziston tek Vitoria dhe mendoj se shumica e tifozëve nuk kanë të njëjtën sjellje si ata që ofenduan Moussa-n që prej nxemjes”, tha ai.

Marega ka luajtur më parë me skuadrën e Vitorias. Ai ishte në huazim aty gjatë sezonit 2016-2017 ku shënoi 15 gola në 25 ndeshje. /tvklan.al