Një material i dytë audio për operacionin e shpëtimit të Alvin Berishës, është transmetuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Në këtë material audio, personi që flet lë të kuptohet se djaloshi shqiptar Alvin Berisha është rrëmbyer nga forcat speciale italiane nga kampi i Al-Holit në Siri, të cilat fillimisht u prezantuan si gazetarë.

“…si je. Dikush ka marrë…Jo, jo, jo një delegat apo zyrtar. Dikush ka provuar ta rrëmbejë djalin e ta marrë me vete. Nuk dihet ku dhe kur. Të paktën mua nuk më tha njeri. Një grua erdhi të bëjë një reportazh. Thotë që erdhi për hesap të babait. Dhe dikush e mori fëmijën dhe unë nuk di gjë. Vetëm kaq di. Ne jemi ekipi italian, erdhëm të pyesim sepse dëgjuam që ai është kthyer në shtëpi. Por ne nuk e dimë nëse ka shkuar në shtëpi apo është marrë peng”.

Alvin Berisha ndodhet aktualisht në Bejrut në gjendje të sigurtë dhe do të transportohet në Romë. Operacioni për shpëtimin e tij ishte mbajtur sekret dhe u realizua me sukses nga forcat speciale italiane në bashkëpunim me ato shqiptare. /tvklan.al