Ministrja e Financave: Do të biem dakord me ndërkombëtarët

Bizneset e mirëpresin nismën e qeverisë për të amnistuar kapitalin dhe paratë e padeklaruara në vite.

Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrias, thotë se deklarimi i aseteve që kanë vite që qëndrojnë të fshehura do t’i japin oksigjen ekonomisë së vendit.

Vetë ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, sqaron se amnistia fiskale dhe penale për pjesën e mosdeklaruar të parave dhe aseteve ka si qëllim formalizimin e ekonomisë.

Por ekspertët e ekonomisë kërkojnë që të bëhet kujdes me pjesën e personave që përfitojnë nga amnistia, që të mos jenë politikanë, gjyqtarë, prokurorë apo individë që janë pjesë e organizatave kriminale.

Kjo pjesë po shihet me prioritet edhe nga institucionet që po hartojnë ligjin.

Si bizneset, edhe ekspertët bien dakord në një pikë të përbashkët, që nisma për amnistinë të ketë dakordësi të ndërkombëtarëve.

Konsensusin me ta e siguron edhe ministrja Denaj.

Amnistia e kapitalit po ndodh për herë të parë në Shqipëri, por ndër vite qeveri të ndryshme kanë dashur të ndërmarrin një nismë të tillë për të vendosur një vijë mes periudhës informale dhe formale të vendit, gjë e cila është kërkuar shpesh nga grupet e bizneseve.

Miratimi i saj me 84 vota në Kuvend amniston pjesët e veprës penale të fshehjes së të ardhurave dhe evazionit fiskal.

Tv Klan