I ftuar për të treguar ndodhitë dhe ngjarjet më të bukura të jetës ishte Ruzhdi Pulaha, shkrimtar i njohur ku veprat e tij janë vënë në skenë në shumë teatro të vendit. I lindur në Korçë, në një familje bahçevanësh, Pulaha tregon se kjo traditë e familjes është ruajtuar ende. “Nga natyra, në tërësinë e saj më pëlqen pastërita e natyrës, ajri që nuk ka intriga, thashetheme. Shtëpia që jetoj tani ka shumë gjelbërim dhe më jep atë qetësinë që më duhet.”

Nga babai thotë se ka trashëguar këtë gjë, ndërsa nga e ëma ka trashëguar anën emocionale. “Gjithë jetën e kam përjetuar me dhimbje këtë natyrë të nënës sime, por më kujtohet se një herë kur po kthehesha nga një festë, shoh pas dritares nënën time me dorën në faqe duke më pritur. Qëkur e pashë kam shpërthyer në lot dhe aty kuptova se nga e kisha marrë dhembshurinë dhe emocionet.”

Ruzhdi Pulaha ka studiuar për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe për rreth 10 vite ka punuar në Radio Televizionin Shqiptar. Më pas punoi si autor në Teatrin Kombëtar, funksion që e kreu deri më 1986, kur doli në krijimtari të lirë. Krijimtaria e tij njeh shumë filma, por ato që kanë mbetur të dashur dhe në memorien e të gjithëve janë “Zonja nga qyteti” dhe “Shoqja nga fshati”./tvklan.al