Prodhuesit gjermanë të makinave, BMW, Daimler (Mercedes) dhe Volkswagen do të përballen me një hetim të Bashkimit Europian pasi dyshohen për manipulim të të dhënave për emëtimet e gazrave në mjedis.

Komisioni Evropian tha se po hetonte nëse ata kishin rënë dakord për të instaluar një pajisje që fshihte emetimin e vërtetë. KE tha se nëse vërtetohet, kjo mund të nënkuptojë që konsumatorëve iu është hequr mundësia për të blerë makina të cilat janë më pak ndotëse.

Kompanitë u shënjestruan në vitin 2017, si pjesë e hetimeve të mëparshme të Komisionit. Komisioni tha se hetimi i tij i thellë synonte të përcaktonte nëse prodhuesit e makinave kanë shkelur rregullat e BE kundër manipulimit të konsumatorit dhe dëmtimit të mjedisit.

Ai tha se ishte duke u përqendruar në informacionin që tregonte se kompanitë, përfshirë Audi dhe Porsche në pronësi të Volkswagen, u takuan për të diskutuar zhvillimin dhe vendosjen e teknologjisë së emetimeve. Daimler dhe VW bënë të njëjtën deklaratë duke thënë se ata bashkëpunonin plotësisht me autoritetet, shkruan BBC.

Komisioni tha se nuk kishte indikacione se prodhuesit e makinave u koordinuan me njëri-tjetrin për përdorimin e pajisjeve të paligjshme të emetimeve.

Volkswagen pranoi në vitin 2015 se kishte përdorur një pajisje në SHBA për të manipuluar testet e emetimeve të motorit të naftës, duke zhytur kompaninë në skandal.

Që atëherë, parregullsitë e emetimeve kanë dalë në sipërfaqe në disa prodhues të makinave të mëdha, ndonëse asnjëri prej tyre nuk kishte shkelje aq serioze sa Volkswagen./tvklan.al