Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar në rrjetet sociale pas zgjedhjeve në veri të Kosovës të cilat dështuan si pasojë e bojkotit që i bënë qytetarët serbë. Osmani shprehet se Kosova ia dha mundësinë qytetarëve të komunave të veriut që t’i largojnë kryetarët aktual dhe të zgjedhin të rinj, por ata nuk e shfrytëzuan. Fajtor për këtë bën Beogradin zyrtar, i cili thotë se u ka bërë presion përmes Listës Serbe dhe strukturave ilegale kriminale.

“Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”, tha ajo.

Sipas presidentes Osmane, Kosova dëshmoi maturi, organizim dhe respektim të plotë të ligjeve dhe Kushtetutës. Me organizimin e zgjedhjeve të sotme, sipas saj, Kosova ka plotësuar kushtet e kërkuara nga BE-ja e për pasojë masat e padrejta kundër saj duhet të hiqen.

“Duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë. E falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet tona të sigurisë, si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin. Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, tha ajo./tvklan.al