Kreu i Urgjencës Kombëtare: Rishikojmë shkolla, bare e restorante

Teksa shifrat e të infektuarve me Covid po rriten javët e fundit, gjithnjë e më shumë po shtohen zërat për ashpërsim të masave. Pas Kryeministrit edhe kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i ftuar në “Milori Live” u shpreh se ka ardhur koha të rishikohen masat antiCovid.

“Ashpërsim mase është logjika. Duke parë kaq muaj, kuptohet që edhe njerëzit kanë një stres, lodhje, frikë, ankth dhe dëme. Një gjë që harrojmë gjithmonë, sepse themi gjithmonë masa për njerëzit, por jemi edhe ne midis njerëzve që kemi një stres dopio nga ajo që kanë njerëzit dhe nuk po e mendojmë asnjëherë. Kështu që edhe mbyllja totale nuk të prodhon aq efikasitet sa të prodhon një miks masash në kohë, pa bllokuar të gjitha aktivitetet, sipas meje”.

Sipas Bratajt shkollat, baret dhe restorantet janë kthyer në shqetësim për përhapjen e infeksionit.

“Këto masa që thamë janë nga më të efektshmet, rishikim të orareve të shkollave, respektim të hapësirave, sidomos në restorante dhe bare”.

Burime për Klan News bëjnë me dije se ekspertët e Komitetit Teknik kanë propozuar ndalimin e qarkullimit nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit. Por vendimi pritet të merret të mërkurën.  

Klan News