Brazili vuan, por në fund merr tre pikët në takimin e tretë eliminator të kualifikueseve të Botërorit, Katar 2022 përballë Venezuelës. Me mungesë të yllit të saj, Neymar Jr. kombëtarja e drejtuar nga Tite arriti të ishte dominuese, por jo konkrete përpara portës, me futbollistët “Seleçao” që shpërdoruan raste flagrante. Megjithatë, atëherë kur duhej erdhi edhe goditja e Brazilit.

Një krosim nga e djathta mbeti në zonën e venezueljanëve, aty ku përfitoi Firminho për të shënuar për 1-0. Goli i tretë për sulmuesin e Liverpool në 3 ndeshjet e para kualifikueseve, duke u konfirmuar pikë referimi për kombëtaren e Brazilit që qëndron në krye të grupit eliminator të Amerikës Latine me 9 pikë.

Fitore me goleadë mori Uruguai, 3-0 përballë Kolumbisë. Edinson Cavani zhbllokoi shifrat pas një gabimi në mbrojtjen vendase. Në të dytën ai që shënoi ishte Luis Suarez me 11 metërsh. Pak minuta më vonë, Nunez me një goditje fantastike nga hyrja e zonës vulosi shifrat përfundimtare në 3-0. Uruguai merr vendin e 4 me 6 pikë, teksa qëndron tre pozicione më poshtë me 2 pikë më pak.

Kili i falet kapitenit, Arturo Vidal për të mposhtur 2-0 Perunë. Mesfushori i Interit ishte autori i të dy golave. Për golin e avantazhit, Vidal i befasoi të gjithë me një gol spektakolar nga jashtë zonës, me topin që kaloi në trekëndësh. Tek goli i dytë, Vidal përfitoi nga pasiguria në mbrojtje për t’i dhënë fitoren e parë kilianëve në këto eliminatore. Pas 3 takimesh, Kili gjendet në vendin e gjashtë me 4 pikë.

Klan Plus