Nisi mbarë Europiani i peshëngritjes për Shqipërinë. Briken Çalja u shpall nënkampion për peshën 73 kilogramë në aktivitetin që po mbahet në Gjeorgji. Një garë që solli 1 medalje të artë dhe 2 argjendi për peshëngritësin shqiptar. Stili i shkëputjes ishte një provë ku Çalja zotëroi garën, duke e mbyllur me 156 kilogramë të ngritura.

Në shtytje ishte një sfidë më e fortë. Briken Çalja ia doli me sukses vetëm në njërën nga provat, duke ngritur 183 kilogramë. Bullgari Bozhidar Andreev pati një paraqitje më të mirë në këtë stil. Me 192 kilogramë ai morri të artën në shtytje dhe në dygarësh, duke u shpallur kampion i Europës.

Një vit më parë Briken Çalja u shpall kampion absolut i Europës në peshën 69 kilogram, me 3 medalje të arta . Shqipëria në këtë kampionat përfaqësohet edhe me Erkand Qerimajn, Daniel Godellin, Krenar Shorajn dhe Endri Karinën.

Tv Klan