460 mijë shqiptarë ikën për pushime vetëm në Qershor

Muajt e verës shënojnë edhe daljet më të mëdha të shqiptarëve jashtë vendit. Qëllimi kryesor janë pushimet!

Vetëm gjatë Qershorit rreth 460 mijë shqiptarë kanë lëvizur jashtë, duke shënuar një rritje me 11,8 % krahasuar me Qershorin e 2018-ës. Tendencën e shqiptarëve për të rezervuar në vendet e huaja e pohojnë edhe drejtuesit e agjencive turistike.

“Ka ardhur në rritje numri i shqiptarëve që rezervojnë pushime jashtë vendit. Prenotime më të mëdha pati pas zgjedhjeve dhe pas kalimit të situatës së rënduar politike. Në vend të parë është Antalia, më pas Greqia, Kroacia etj”, thotë Besnik Vathi, drejtues i një agjencie turistike.

Një tendecë të veçantë përbën rezervimi i pushimeve me kroçerë.

Numri i atyre që preferojnë të udhëtojnë me kroçere është rritur sidomos në ishujt grek që për fat ne i kemi edhe afër.

Sipas Institutit te Statistikave, në periudhën 4-vjeçare 2014-2018, kanë dalë jashtë vendit 24,1 milionë shtetas shqiptarë. Vetëm në vitin 2018 kanë shpenzuar 181.396 milionë Lekë duke u rritur me 17.3% krahasuar me një vit më parë. 77% e shpenzimeve janë regjistruar për udhëtime personale, ndërsa udhëtimet e biznesit dhe profesionale zënë 23 %.

Tv Klan