Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg pa afat 8 të arrestuarit për sasinë prej 587 kg kanabis të sekuestruar në Qafë-Thanë. Sipas hetimeve të Prokurorisë, grupi u zbulua pas përgjimeve të nisura prej Tetorit 2018.

Droga që u sekuestrua në Qafë-Thanë do të transportohej drejt Turqisë, fillimisht duke e kaluar me varka nga liqeni i Pogradecit në Maqedoni dhe më pas në Greqi me destinacion final Turqinë, ku do të shkëmbehej me heroinë. Të arrestuarit akuzohen për trafik të narkotikëve dhe prodhim dhe shitje narkotikësh.

Seanca me kërkesë të gjyqatrit Bib Ndreca është zhvillur me dyer të mbyllra, për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor. Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës i cilësuan provat e prokurorisë të pa plota.

Në kërkesën e prokurorisë për caktim mase, e siguruar nga Tv Klan, rezulton se kanabisi ishte blerë në Tepelenë nga Aranit Bida, që cilësohet nga organi i akuzës si drejtuesi i grupit. Ky i fundit organizonte transportin në aksin Tepelenë-Fier-Rrogozhinë dhe Elbasan me destinacion Pogradecin.

Më pas sasia prej 587 kg kanabis do të merrej në dorëzim nga Elvis Gjona që përmes Suferim Dokollarit do ta transportonte drogën me varka nga liqeni i Ohrit drejt Maqedonisë. Nga përgjimet ka rezultuar se Aranit Bida do ta dërgonte kanabisin në Turqi për ta shkëmbyer më pas me heroinë, e cila nga Turqia do të transportohej për në Shqipëri.

Tv Klan