Prodhimi dhe shitja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin e njeriut do të dënohet me 3 vjet burg, ndërsa nëse kjo vepër do të sjellë dëmtim të shëndetit të konsumatorit, ndëshkimi do të jetë me 10 vjet burg për tregtarin e produkteve.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka dërguar në Kuvendin e Shqipërisë një kërkesë me propozimet për ashpërsimin e masave në kodin penal, ku shprehet se “thembra e Akilit” është pikërisht aktiviteti i tregtarëve të cilët importojnë produkte ushqimore nën standardin që deklarohet në dokumentat e mallit të origjinës, por që në momentin që i nënshtrohen testeve laboratorike në shumë raste produkti ka rezultuar i kontaminuar.

 “Destinacioni i mallit nuk dokumentohet qëllimisht nga këto subjekte, për shkak se sanksionet administrative “Gjobë”  në dispozicion janë të papërfillshme dhe në vlera qesharake në raport me sasitë dhe vlerën e  produkteve që futen në vendin tonë, gjë e cila e legjitimon futjen e tyre në sasi të mëdha.”

Ndëshkimi me dy vjet burg do të jetë edhe për tregtarët të cilët shesin produkte të cilat kanë kaluar datën e skadencës, ndërsa për ata që falsifikojnë, gërvishitin, ose dëmtojnë qëllimisht këto data, etiketat ose vulat e produkteve dënimi do të jetë nga 6 muaj deri në 4 vjet burg.

 “Një problematikë që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit  ka trajtuar së fundi, është përdorimi i vajit të palmës në produktet e qumështit, ku haseshin fabrika përpunimi të qumështit që përdorin masivisht atë, e cila jo vetëm përbën një falsifikim apo mashtrim të hapur në aspektin e cilësisë por gjithashtu shfaq edhe rreziqe në kuptimin afatgjatë që shoqërohen edhe me modifikimin e ADN-së.”

Për bizneset të cilët kanë bërë falsifikimin e të dhënave të produktit do të rëndojë edhe akuza e mashtrimit, vepër penale që propozohet të dënohet me 5 vjet.

Gjatë 3 muajve të parë të vitit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 50 ton mish dhe nënprodukte të tij në tregun vendas, ndërsa ka asgjësuar 135.5 ton produkte ushqimore të rrezikshme për shëndetin e konsumatorit. Janë kthyer në vendin e origjinës 3 ngarkesa prej 27 ton me mish pule dhe produkte dhe 25 ton me prodhime me çokokremi, lëngje frutash dhe mielli.

Tv Klan