Nevaldo Hajdaraj: Dua t’u kërkoj ndjesë publike familjarëve

Efektivi i Shqiponjave, Nevaldo Hajdaraj, shprehu pendesë për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, gjatë dhënies së masës së sigurisë. Hajdaraj kërkoi që në seancë të ishin të pranishëm edhe familjarët e viktimës, për t’ju kërkuar ndjesë për ngjarjen e ndodhur. Ai do të qëndrojë në burg për akuzën e vrasjes në kapërcim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme.”

Seanca për caktimin e masës u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa gjyqtarja Shefkie Demiraj pranoi që gjatë shpalljes së vendimit të ishin të pranishme edhe mediat.

“Nevaldo Hajdaraj shprehet shumë i penduar në lidhje me veprën e konsumuar prej tij. Dëshironte që familjarët e viktimës të ishin prezentë, me qëllim që të kërkuar ndjesën publike. Gjykata në përfundim të gjykimit arriti në përfundim e plotë se masa do të jetë ajo e kërkuar nga prokuroria, ajo e arrestit me burg.”

Ngjarja ku mbeti i vrarë 25-vjeçari Klodian Rasha ndodhi në orët e para të mëngjesit të 8 Dhjetorit në Laprakë. Nga hetimet paraprake rezulton se i riu është qëlluar nga efektivi i forcave Shqiponja me një plumb pas shpine, që i ka shkaktuar edhe vdekjen.

Për akuzën e ngritur ai rrezikon dënimin deri në 7 vite heqje lirie.

Prokuroria është ende në pritje të akt-ekspertimit për të parë nëse në pistoletën që u gjet në zonën ku ndodhi ngjarja, ka ose jo gjurmë gishtërinjsh të viktimës.

Burime nga laboratori i Policisë Shkencore bëjnë me dije se nga verifikimet nuk janë konstatuar gjurmë gishtërinjsh. Gjithashtu hetuesit janë në pritje të zbardhjes së kamerave të sigurisë për të parë dinamikën e ngjarjes dhe momentin kur efektivi ka qëlluar me armën e shërbimit mbi viktimën.

Tv Klan