Një grua 57 vjeç është bërë pjesë e emisionit “Historia ime” në Tv Klan ku ka rrëfyer se është braktisur nga bashkëshorti kur i kishte fëmijët fare të vegjël. Ata kishin një gjendje shumë të mirë ekonomike sepse burri punonte si kambist, por nisi bixhozin dhe ta tradhtonte, kështu i harxhoi të gjithë lekët. Ai u nis për në Greqi dhe për 7 vite nuk u kthye, duke lënë gruan dhe fëmijët në gjendje të mjerë. Gruaja u detyrua që të ndahej nga ai që të merrte një pension për t’u kujdesur për fëmijët. U detyrua që të shiste banane në mes të rrugës sepse nuk kishte si të ushqente fëmijët.

Mirela Milori: Pas ndarjes çfarë ndodhi?

Gruaja: Kisha një komshie që nxirrte rroba që shiste, kishte nja dy veta por ishin me probleme mendore dhe herë i vinin, herë nuk i vinin dhe i thashë të dal unë t’i nxjerr rrobat? Tha unë doja të të thoja por kisha frikë se ofendoheshe. I thashë për çfarë do ofendohem, për kalamajtë e mi të ofendohem unë? Asnjëherë dhe fillova t’i nxirrja unë. Më jepte 2 mijë lekë në ditë dhe më tha po sikur të nxjerrësh një arkë banane, ti rri që rri këtu me mua. I thashë jo është shumë shtrenjtë, po nuk e shita? Lë që nuk kam lekë ta marr i thashë, t’i jap unë tha dhe nëse del keq nuk t’i marr lekët. Zoti sikur bëri mrekulli dhe atë ditë fitova mirë, e thashë po do e vazhdoj këtë punë. Pastaj me tha ke një tavolinë aty, nxirr ndonjë çokollatë, çamçakëz. Pak nga pak futa dhe disa paketa dhe sikur eca një çikë dhe ashtu vazhdova pastaj, me tavolinë.

Mirela Milori: Për sa kohë?

Gruaja: Vazhdova deri vonë tavolinën, pas 7 vitesh që erdhi ai, erdhi pa kokërr leku.

Mirela Milori: Ti fillove të shisje në tavolinë, a u ngrit pak ekonomia?

Gruaja: Nuk isha pa gjë fare, muaji nuk mbylleshe fare, vetëm dita.

Mirela Milori: Kur erdhi sa vjeç i gjeti fëmijët?

Gruaja: Vajza e madhe ishte në klasën e 7, 13 vjeç, e dyta 10, djali ishte 8.

Mirela Milori: Më the që mbas 7 vitesh të trokiti dritarja.

Gruaja: Në 3 të mëngjesit, jam ngritur e trembur dhe kur ia kam dëgjuar zërin, një zë që të vjen pas 7 vitesh që e kishe shok jete, sikur mu rrëqeth trupi. I thashë kush je ti sepse mu duk si ëndërr. Filani jam më tha, hape derën, i thashë jo nuk ta hap. Po të më thoshte hape derën që të shoh fëmijët do ja kisha hapur, por ai s’ma tha këtë.  Erdhi pastaj me të motrën që po më luteshe, i thashë jo.

Gruaja tregon se burri i saj e kërkoi sërish dhe kjo e pranoi në shtëpi për hatër të fëmijëve me shpresën që ai do ndryshojë, do punojë dhe do kujdesej për fëmijët. Fëmijët atë e shihnin si të huaj. Pas disa ditësh që jetoi me familjen, burri filloi sërish të grindej dhe t’i bërtiste asaj për fëmijët sepse vajza i dukej e dobët, i kërkonte llogari pse nuk e ka ushqyer, pse s’ka blerë divane etj.

Fëmijët e saj i thoshin që ta përzejë nga shtëpia, madje djali i tregoi se i ati e kishte çuar atë në një bingo,.

“Djali më tha se ka lënë 10 mijë lekë, ti shtyn javë me atë, kurse ai i la dhe nuk iu dhimbsën fare”, u shpreh ajo.

Të nesërmen ajo e përzen duke i thënë që të marrë rrobat dhe të mos kthehej më. Sipas gruas ai ishte shumë i ftohtë me fëmijët dhe nuk i përqafoi kurrë. /tvklan.al