“Vjedhja ka numrin më të lartë të veprave penale”

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka raportuar këtë të hënë në parlamentin e Shqipërisë për punën e institucionit që ai drejton për vitin 2020. Para deputetëve të Kuvendit, Çela tha se në vitin 2020 janë dënuar 8022 të pandehur. Numrin më të madh të procedimeve edhe për këtë vit e ka pasur prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Tiranë, që ndiqet nga Durrësi dhe Elbasani. Numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara e përbën vepra penale e vjedhjes.

“Gjatë vitit 2020, organi i prokurorisë në hetimet paraprake ka trajtuar 58466 materiale kallëzimi. Janë ndjekur gjithsej 44834 procedime penale nga të cilat 27890 janë procedime penale të regjistruara. Edhe në vitin 2020 numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me 31,74 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi. Prokuroritë e tjera me shifrat më të larta janë Durrësi dhe Elbasani. Sa i përket raportit të ndarjes së veprave penale rezulton se 78,24 % e procedimeve penale i përkasin krimeve. Sipas strukturës së Kodit Penal ndër grup veprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara nga ana e prokurorisë, evidentohet se vjedhja e pasurisë përbën numrin më të lartë me 31,24 % të numrit të përgjithshëm, por me ulje 9,96  % krahasuar me vitin 2019. Veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike që përbëjnë 26,46 % të numrit të përgjithshëm dhe kanë ulje 4,81 % krahasuar me vitin 2019; -veprat penale që cënojnë regjimin juridik të tokës me 6,28 %, me një ulje 8,38 %  nga një vit më parë -veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes zënë 4,88 % të numrit  dhe kanë një rritje prej 9,12 % në krahasim me vitin 2019. Gjatë vitit 2020 nga prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë është ngritur dhe përfaqësuar akuza në gjykatë në emër të shtetit për 10000 procedime penale  me 11530 të pandehur. Gjithashtu, janë paraqitur në gjykatë 11741 kërkesa për caktimin e masave të sigurimit personal. Përgjatë vitit 2020 janë ekzekutuar 2990 vendime penale dhe kanë mbetur pa u ekzekutuar 1875 vendime. Ndër vite gjithsej, janë 3820 vendime penale të mbetur pa u ekzekutuar, të cilët sipas llojit të dënimeve janë: 7 dënime me burgim të përjetshëm, 1039 vendime me burgim, 1543 vendime për dënimin me gjobë, 57 dënime plotësuese dhe 1198 dënime alternative.  Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore në vitin 2020 rezulton se janë dënuar 8022 të pandehur dhe për 152 të pandehur është dhënë vendim pafajësie. Krahasuar me 2019 ka një ulje prej 8,96 % e numrit të pandehur të dënuar dhe një ulje prej 19,15 % e numrit të pandehurve të deklaruar të pafajshëm”, tha Çela. 

Më tej Çela shtoi: Sa i përket veprave penale lidhur me narkotikët, ndjekja penale ka rezultuar efektive, për faktin se 58,42 % e çështjeve janë dërguar gjyqit. Në vitin 2020 për “Krime kundër jetës të kryera me dashje” janë dërguar për gjykim 31,66 % e çështjeve. Në këtë grupveprash, duke veçuar veprën penale të kanosjes që zë 88% të çështjeve të pushuara. Për veprat penale të vrasjes me dashje 63,81 % i janë dërguar gjyqit.  Efektiviteti i ndjekjes penale ka qenë i lartë edhe lidhur me dhunën në familje, për faktin se 83,02% e çështjeve janë dërguar në gjyq dhe 16,98% e çështjeve janë pushuar. Ndërkohë, në vitin 2020, çështjet e regjistruara paraqesin rritje prej 9,74 % krahasuar me vitin 2019.  Ecuria e kësaj vepre penale në pesë vite, tregon se është arritur ulje në masën 7,68 % në numrin e procedimeve të regjistruara në vitin 2016 krahasuar me vitin 2020. Në analizë të të dhënave, rezulton se: Profili i të pandehurve: 92,71 % janë meshkuj madhorë, 59,87 % janë me arsim deri 9-vjeçar, 72,49 %, janë të papunë, 2,13 % janë përsëritës për të njëjtën vepër dhe 9,33  % janë të dënuar për vepra të tjera. Gjeografia sociale: numri më i lartë i procedimeve për vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, është regjistruar në prokurorinë e shkallës së parë Tiranë 32 %, Politika Penale: për këtë grupveprash, 88,58 % e kërkesave të prokurorit për masa sigurimi lidhen me caktimin e masave të sigurimit me arrest dhe nga gjykata në 85,29 % të kërkesave është vendosur masë sigurimi me arrest. Udhëzimi i përgjithshëm i cili hyri në fuqi në 1 shtator 2020 plotësoi dispozitat e Memorandumit të Mirëkuptimit dhe është një instrument për përdorimin nga prokurorët, policia gjyqësore dhe agjencitë ligjzbatuese të përfshira. Tashmë janë  krijuar shtatë seksione të veçanta në prokuroritë më të mëdha dhe janë caktuar prokurorë të dedikuar në prokuroritë më të vogla për t’u përqendruar në hetimet dhe ndjekjen penale të pastrimit të parave, sekuestrimin dhe konfiskimin e produkteve kriminale. Rezultati i këtyre masave është progresi i evidentuar me rritjen e efektivitetit në hetimet për veprat penale të pastrimit të parave të parashikuara nga nenet 287 e 287/b të Kodit Penal, pasi të dhënat statistikore tregojnë se për veprat penale që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale, numri i procedimeve të regjistruara është rritur me 20,19 %, numri i të pandehurve të regjistruar është rritur 103,1 % dhe numri i personave të dënuar është rritur 11 % krahasuar me vitin 2019. Me gjithë arritjet, ngelet sërish me nivele jo të kënaqshme efektiviteti i ndjekjes penale pasi evidentohen tregues të ulët të raportit të çështjeve penale të dërguara në gjyq krahasuar me çështjet e pushuara. /tvklan.al