Të shtunën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, certifikoi rezultatet e votimeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit duke i hapur rrugën procesit të ngritje së institucioneve të reja.

Përfundimisht, koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën ka fituar 33.74 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje 27.49 për qind ndërsa koalicioni i Lidhjes Demokratike, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, ka fituar 25.53 për qind.

Në bazë të këtyre rezultateve, koalicioni i parë ka 39 vende në parlamentin 120 vendesh, Lëvizja Vetëvendosje ka 32 vende dhe koalicioni LDK-AKR- Alternativa, ka 29 vende. Lista Serbe ka fituar 9 vende nga 10 gjithsej sa i takojnë komunitetit serb.

Nga dita e sotme, vendi ka një afat prej tridhjetë ditësh për mbledhjen e parë të parlamentit.

Asnjë nga koalicionet parazgjedhore dhe partitë politike nuk e ka numrin e mjaftueshëm të deputetëve për ta formuar qeverinë dhe kjo e ka bërë sfidues këtë proces dhe ka nxitur shumë debate por edhe kontakte nën rrogoz.

Sipas kushtetutës, presidenti i propozon parlamentit kandidatin për kryeministër nga radhët e koalicionit që është fitues i zgjedhjeve. Nëse kabineti i propozuar prej tij nuk siguron votat e mjaftueshme, përkatësisht së paku 61 vota, atëherë presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër dhe nëse as herën e dytë nuk formohet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Tashmë është e qartë që presidenti i vendit do t’i jap fillimisht mandatin kandidatit të koalicionit të Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë dhe Nismës për Kosovën, Ramush Haradinaj. Por, ai bashkë me koalicionin e tij dhe deputetët e pakicave kombëtare ka 59 deputetë, dy më pak se sa votat e nevojshme për krijimin e qeverisë dhe është vënë në përpjekje për të siguruar të paktën edhe dy vota nga partitë tjera. Zyrtarë të këtij koalicioni pohojnë të kenë siguruar votat e mjaftueshme.

Ndërsa lëvizja Vetëvendosje e cila u rendit e dyta në këto zgjedhje shpreson në dështimin e koalicionit të udhëhequr nga Ramush Haradinaj për të krijuar qeverinë, ndërsa u ka bërë thirrje partive politike të koalicionit ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, që t’i fillojnë bisedimet për formimin e qeverisë së re të Kosovës. Tashmë ka pasur biseda ndërmjet këtyre forcave politike por ende nuk ka ndonjë marrëveshje.

Sipas ekspertëve të kushtetutës presidenti i vendit duhet të kujdeset për qëndrueshmërinë e funksionimin demokratik të kushtetutës dhe institucioneve të vendit dhe mbi bazën e kësaj në herën e dytë, nëse ndodhë, duhet të gjykojë se cili grup mund të krijojë koalicionin e ardhshëm qeverisës./VOA