Ekipi menaxhues për hartimin e statutit të asociacionit të komunave serbe, mblodhi kryetarët e komunave me shumicë serbe për ta diskutuar çështjen më të ndjeshme tash për tash në dialogun Kosovë-Serbi, “kompetencat që do të ketë asociacioni”. Ekipi menaxhues që përbëhet vetëm nga pjesëtarë të komunitetit serb, vazhdon të këmbëngulë që “struktura e ardhshme organizative e Asociacionit të komunave serbe, të rregullohet në bazë të parimeve të përgjithshme të miratuara në Bruksel në dialogun Kosovë-Serbi”, thuhet në një komunikatë të ekipit menaxhues.

“Asociacioni i komunave serbe do të ketë këto organe: kuvendin, kryetarin, këshillin, bordin, administratën dhe zyrën për ankesa. Është thelbësore që kompetencat e Asociacionit të komunave serbe të mbeten ashtu siç janë përcaktuar në marrëveshjen e parë të Brukselit”, thuhet në komunikatën pas takimit. Ky asociacion sipas ekipit menaxhues përmes trajtimit të çështjeve me interes të përbashkët të komunave anëtare, si dhe përfaqësimin e tyre, do të kontribuojë në forcimin e demokracisë lokale dhe mbrojtjen e interesave të popullit serb në Kosovë. Statuti i asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të hartohet deri më katër gusht, sipas një kërkesë të BE-së që lehtëson dialogun Kosovë-Serbi. Që asociacioni i komunave serbe të themelohet vetëm në bazë të marrëveshjes së Brukselit, mbështetet edhe nga lista “Srpska”, e cila ka dhjetë deputet në parlamentin e Kosovës. Zëdhënësi i Listës Serbe Igor Simiq, përmend një takim të tyre me Angelina Einhorst, përfaqësuese e Politikës së Jashtme të shërbimeve të BE-së, e cila siç thotë Simiq, “ajo na ka thënë shumë herë se për të dhe BE-në, për ta formuar Asociacionin vlen vetëm marrëveshja e nënshkruar në Bruksel”.

Por zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, thotë se “Asociacioni/Bashkësia do të themelohet brenda kornizës ligjore të Kosovës, bazuar në marrëveshjen e Brukselit dhe elementet/parimet kryesore të përgjithshme të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të arritura ndërmjet palëve në gusht 2015”, citojnë mediet lokale një deklaratë të kësaj zyre, që udhëhiqet nga Natalya Apostolova, së cilës iu vazhdua mandati në krye të kësaj zyre edhe për tre vjet. Më tej thuhet se “Kosova i ka dhënë mandat Ekipit Menaxhues për të hartuar statutin e Asociacionit/Bashkësisë. Puna e tyre është duke vazhduar, ndërsa, BE-ja, pret që të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja të zbatohen pa vonesa të mëtejshme, në veçanti Marrëveshja për Asociacionin/Bashkësinë dhe Energjinë”.

Mirëpo, është qeveria e Kosovës ajo që këmbëngul, që asociacioni i komunave serbe do të themelohet vetëm në bazë të kushtetutës së Kosovës e që është shumë e qartë që asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

“Delegacioni i Kosovës, për bisedimet teknike me Serbinë, i kryesuar nga z. Avni Arifi me 18 qershor 2018 ka qenë në Bruksel për t’u prezantuar para vendeve anëtare të BE-së. Në këtë takim, në mënyrë specifike para këtyre vendeve, BE e ka bërë të qartë që, Asociacioni do të formohet konform Kushtetutës së Kosovës dhe pa kompetenca ekzekutive”, thotë në një komunikatë për medie qeveria e Kosovës. Edhe Avni Arifi, kryesues i delegacionit të Kosovës për biseda teknike me Serbinë, i tha DW-së në një intervistë të mëhershme që: “kur është nënshkruar marrëveshja e Brukselit për asociacionin, është ditur që kjo marrëveshje do të shkojë që të vlerësohet në Kushtetutën e Kosovës. Nuk ka hapësirë në kushtetutën e Kosovës që të krijohet edhe një nivel tjetër i pushtetit dhe nuk ka hapësirë që të krijohet edhe një mekanizëm me kompetenca ekzekutive”.

Sidoqoftë, krahas punës së ekipit menaxhues për hartimin e statutit të komunave serbe, në Prishtinë po zhvillohet debat i gjerë për një nismë të Presidentit Hashim Thaçi, për krijimin e një “ekipi të unitetit”, që do të udhëhiqej nga vet ai, për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi. Sipas presidentit “një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është e domosdoshme”, sepse kjo edhe është vënë kusht nga Bashkimi Evropian nëse Kosova dhe Serbia dëshirojnë të integrohen në BE. Ndërkohë, partitë opozitare në Kosovë nuk po e mbështesin nismën e presidentit për një grup uniteti në bisedime me Serbinë, madje ato thonë se “Presidenti Thaçi, nuk ka autorizim nga parlamenti që të zhvillojë negociata me Serbinë”, duke e arsyetuar këtë qëndrim se “Kosova është Republikë parlamentare, e jo një sistem presidencial”.

/Deutsche Welle