Çfarë u diskutua në takimin Basha-Meta

Çfarë u diskutua në takimin Basha-Meta

12:12 16/07/2019

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha këtë të martë se opozita është e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës. Deklarata Basha i bëri pas takimit që zhvilloi fillimisht me Presidentin Ilir Meta, e më pas me aleatët opozitarë. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, kreu i PD tha se me Presidentin kishte diskutuar për 13 Tetorin.

“Padyshim që lidhet me 13 Tetorin. Kreu i shtetit mendon se 13 Tetori është mundësi për të dalë nga kriza politike përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, zgjedhjeve lokale dhe siç është shprehur politikisht edhe nëpërmjet zgjedhjeve të reja presidenciale që nënkupton ndryshime kushtetuese. Duke vlerësuar maksimalisht qëndrimin e presidentit dhe shqetësimin e tij, i kam bërë të qarë se PD dhe opozita janë në këtë betejë për interesin e njerëzve, që zgjedhjet e ardhshme, ndryshe nga farsa e 30 Qershorit, siç e deklaroi OSBE/ODIHR, duhet të jenë për njerëzit dhe jo për partitë, e aq më pak për Ymer Lalën dhe për bosin e tyre, bablokun e madh dhe se në këtë funksion opozita është e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës që është dhunuar dhe tjetërsuar përtej çdo përfytyrimi, çfarë e pamë edhe më 30 Qershor, ku Edi Rama nuk i rezistoi dot tundimit për të vjedhur edhe një proces ku kandidonte vetë, votonte, numëronte, tabulonte vetë. Dhe për të garantuar përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme një qeveri që buron nga njerëzit dhe i shërben njerëzve”.

Ndërsa duke u ndalur tek takimi që zhvilloi me aleatët, Basha tha se kishin diskutuar për hapat e mëtejshëm politikë që do të ndjekë opozita e bashkuar. Ai u shpreh se kishin diskuar për platformën e tyre ekonomike. Kreu i PD shtoi se 30 Qershori e konfirmoi opozitën si mazhorancën e re politike.

Sot në takimin me opozitën e bashkuar kemi diskutuar për hapat e mëtejshëm që do të hidhen në aksionin tonë politik në të gjitha rrafshet, në raport me njerëzit, me qytetarët. Në raport me faktorin ndërkombëtar, dhe në raport me zgjidhjet që presin dhe që do t’u ofrojmë shqiptarëve. Në këtë kuadër kemi diskutuar gjerë e gjatë për emergjencën ekonomike ku ndodhet vendi, sepse një nga mëkatet më të mëdha, fajet më të mëdha të kësaj bande që na qeveris është që duke tërhequr opozitën në betejën parimore për vlera themelore të lirisë dhe demokracisë, të luftës kundër krimit dhe drogës, ia ka dalë t’i vërsulet Shqipërisë, buxhetit të saj, pasurive të saj, ta vjedhë dhe ta grabisë qytetarin e thjeshtë, pasuritë e këtij vendi dhe ta zhysë ekonominë në ditën e saj më të zezë, në të paktën 2 dekada. Ndaj bashkërisht kemi diskutuar për platformën tonë ekonomike, për zgjidhjet ekonomike që shqiptarët meritojnë dhe do të kenë me fitoren e opozitës së bashkuar, e cila tashmë jo vetëm thjeshtë përmes studimeve të opinionit publik, por edhe përmes referendumit të 30 Qershorit, është konfirmuar si mazhoranca e re politike”. /tvklan.al

Të ngjashme
UKT