Muxhahedinët iranianë që jetojnë në Tiranë, kundërshtarë të regjimit të Teheranit janë vënë në fokus të një reportazhi të televizionit britanik “Channel 4”.

Reportazhi titullohet “Kulti i Fshehtë”, që presidenti Trump sjell si alternativë në vend të qeverisë iraniane. Gazetarët britanikë shkuan në kampin e Maminasit, pjesa më e madhe e të cilit është ende në ndërtim. Reportazhi tregon se ata janë tepër hermetikë dhe nuk i lanë gazetarët të futen, duke i akuzuar si terroristë dhe agjentë të regjimit të Ajatollahëve.

Në reportazh publikohet një raport i policisë shqiptare që ngre shqetësime për rrezikun që i kanoset vendit tonë prej tyre. Në një nga paragrafët e cituar thuhet se pjesëtarët e kësaj organizate janë thellësisht të indoktrinuar dhe kanë marrë pjesë në akte lufte dhe terrori.

Shqetësim përbën edhe fakti se ata i ekzekutojnë personat që i konsiderojnë si tradhtarë të kauzës së tyre. Raporti i policisë shqiptare sjell si shembull rastet që kanë ndodhur kur ata strehoheshin në Irak. Ish-shefi i Shërbimit Informativ Ushtarak Ylli Zyla hedh dyshime se ata po ngrenë një shtet brenda shtetit.

Megjithatë, reportazhi sjell edhe deklaratat e zyrtarëve të lartë amerikanë si këshilltari i presidentit Trump për sigurinë Xhon Bolton dhe ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut Rudolf Xhuliani, të cilët thonë se ata janë e ardhmja e Iranit dhe se do të trashëgojnë qeverisjen e vendit kur regjimi i Ajatollahëve të bjerë.

Tv Klan