Këtë fundjavë, Check-In në Tv Klan është ndalur në një vend të mrekullueshëm, një vend ku ndihesh si në shtëpi, në mes të botës por brenda një hapësire të vogël ku ndihet deti, kodra dhe mali, ku i ftohti kontinental përzihet me të nxehtin afrikan, një vend që e ndjen që në takimin e parë.

Kjo është Portugalia, që ka fituar çmimet më prestigjioze të turizmit që variojnë nga destinacioni më i mirë i plazhit me Algarve, në destinacionin më të mirë për ishujt si Madeira, porti më i mirë i lundrimit, ai i Lisbonës, si dhe ka bordin më të mirë zyrtar të turizmit, duke u klasifikuar si destinacioni turistik më i mirë në Evropë.

Lisbona është një nga kryeqytetet e fundit evropiane ku akoma ndihesh sikur je diku tjetër. Një qytet përtej kufirit, sepse në fakt më të rëndësishmin e ka atë me Atlantikun.

Lisbona shtrihet në shtatë kodra dhe përshkohet nga lumi Tago i cili derdhet në Oqeanin Atlantik. Karakteristikë e saj janë disnivelet që i japin asaj bukuri dhe karakter, duke e bërë një destinacion të preferuar për shkrimtarët dhe poetët.

Alfama është lagjia më tradicionale e Lisbonës ku akoma përjetohet magjia e një qyteti romantik që tërheq me hijëshinë e saj, ku magjepsesh nga gjëra të vogla, si rrobat e varura në tel për t’u tharë nga era, ndërtesat hijerëndë të stilit Manueline, një hapësirë pafund çatish dhe pamjet e mrekullueshme te lumit ‘Tago’.

Miradouro de Santa Luzia, Miradouro das Portas do Sol, Miradour de Signura del Monce janë pikat më të mira në Alfama nga ku mund të sodisësh qytetin me një kënd shumë të gjerë.

Ndër pamjet më të njohura të Lisbonës është sigurisht ajo e tramvajit të verdhë që përplaset përgjatë rrugëve të ngushta të qendrës historike. Tramvaji nr.28 ka karroca origjinale qe nga fillimi i viteve 1900 dhe ofron një zhytje të vërtetë në të kaluarën, një mënyrë vërtet evokuese për të eksploruar Lisbonën. Linja 28 në fakt është një linjë transporti publik në qytet, kështu që përdoret shpesh dhe nga banorët vendas.

Portugalia është një vend i kishave, kulteve dhe festave fetare që formojnë dhe një itinerar për të udhëtuar i drejtuar nga besimi në kërkim të së shenjtës ose të vetvetes, duke vizituar katedrale e kapela të vogla dhe të thjeshta kushtuar shenjtorëve mbrojtës. Katedralja më e vjetër e qytetit është Katedralja SE.

Në 1 Nëntor të vitit 1755, në festën e të gjithë shenjtorëve, një tërmet i fuqishëm me madhesi 8.5- 9 shkalla Rihter goditi Mbretërinë e Portugalisë. Në kombinim me zjarret e mëvonshëm dhe një cunami, tërmeti shkatërroi pothuajse tërësisht Lisbonën dhe nuk e kurseu as Terreiro. Mbretërorët, të cilët rastësisht atë ditë ishin larg vendbanimit të tyre, vendosën të mos ktheheshin me pranë lumit, duke u zhvendosur drejt zonës Ajuda.

Sheshi u rindërtua pas tërmetit dhe mori emrin “Praça do Comèrcio” për të theksuar funksionin e tij të ripërtëritjes ekonomike. Ndërtesat e saj në fakt ishin të destinuara për zyrat qeveritare edhe një herë për të kontrolluar trafikun portual. Në qendër të sheshit është statuja e kalit të Mbretit Jose I, nën sundimin e së cilit filloi dhe rindërtimi i sheshit dhe i gjithë Lisbonës.

Koordinues i rindërtimit të sheshit ishte Markezi Pombal, ministri i Mbretërisë,  një figurë kryesore që projektoi rilindjen e qytetit pas tërmetit shkatërrues.

Vitet e fundit hapja e restoranteve avangarde dhe puna e kuzhinierëve të njohur kanë ndryshuar imazhin e Lisbonës, nga qyteti i tavernave të vogla tradicionale në një kryeqytet ‘gourmet’ por shumë popullor në mesin e gazetarëve dhe blogerëve të ushqimit.

Edhe pse çmimet e restoranteve janë rritur vitet e fundit për shkak të rritjes së turizmit, Lisbona mbetet ende një nga kryeqytetet më të lira të Evropës për një turist, ku me më pak se 10 Euro mund të konsumosh një vakt me cilësi të mirë. /tvklan.al