Rritja e çmimeve është ngadalësuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit. INSTAT bëri të ditur se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Mars 2024 është 2.3%, një vit më parë ky ndryshim ishte 5,3 %.

Ky ëshë niveli më i ulët që nga Korriku 2021, përpara se të fillonte një valë shtrenjtimesh e ndikuar fillimisht nga zhbalancimet që solli pandemia e më pas nga pasojat në tregjet e mallrave të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës. Niveli më i lartë i inflacionit 8.3% arriti në tetor 2022, dhe më pas erdhi duke u ulur. Viti 2024 ka nisur me inflacion më të uëlt se 3%, duke arritur edhe objektivat e Bankës së Shqipërisë.

Pavarësisht uljes së inflacionit, ushqimet vijojnë të jenë grupi kryesor që ndikon në inflacion.

Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin Mars është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,70 %, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,45 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate” patën rritjen më të madhe me  4.7 %, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 4,6 %, ndërsa “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” u rritën me 4,4 %, po ashtu “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 4,0 % ndërsa çmimi i “mishit” u rrit me 3,7 %.

Klan News