Reduktohet puna në gjykata, shqyrtohen vetëm emergjencat

Covid-19 është përhapur në gjykata, pas konfirmimit me koronavirus të të paktën dy gjyqtarëve, duke kushtëzuar punën e këtyre institucioneve. Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit është duke punuar në mënyrë të reduktuar për shkak se një gjyqtar rezultoi të premten i prekur me koronavirus.

Ndërkohë 2 gjyqtarë të tjerë, si dhe pjesëtarë të administratës që kanë qenë kontakte të afërt me të janë karantinuar në banesë. Tashmë të gjitha proceset ku gjyqtari i prekur me Covid-19 ka qenë në trupë janë pezulluar deri në një vendim tjetër. Aktualisht në këtë gjykatë po zhvillohen ato procese që cilësohen si emergjente, përfshi masat e sigurisë, si dhe kërkesat penale, por duke respektuar protokollet e sigurisë.

Edhe në Gjykatën e Apelit të Tiranës paraqitet e njëjta situatë, pasi një gjyqtar rezultoi pozitiv pasi iu nënshtrua testit të tamponit. Pas kësaj ekspertët e Shëndetit Publik vendosën karantinimin e detyrueshëm prej 14 ditësh për kontaktet e afërta.

Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në këtë institucioni është vendosur që të punohet në mënyrë të reduktuar dhe tashmë janë duke u shqyrtuar vetëm ato procese që cilësohen emergjente. Situata është problematike edhe në Gjykatën e Lartë, pasi rezulton i prekur një nga punonjësit e administratës.

Mësohet se puna në këtë gjykatë do të vazhdojë normalisht, duke respektuar protokollet e sigurisë. Sakaq Këshilli i Lartë Gjyqësor pritet të marrë masa nëse do të shtohet numri i të prekurve.

Tv Klan