Specialistët: Rëndesa më e madhe në spitale, nuk ka trajtim tek të sëmurët

69-vjeçari i cili u hodh nga kati i tretë i Spitalit Infektiv në QSUT, ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit, për shkak të dëmtimeve që kishte pësuar në kokë.

Situata në spitalet Covid vijon të jetë kaotike. Familjarët presin me orë të tëra për të kontaktuar me mjekët. Shpeshherë pritja përballë Spitalit Infektiv është e kotë, pasi asnjë person i autorizuar nuk del për të dhënë një përgjigje se çfarë ndodh me të shtruarit.

“Kemi ndenjur mbrëmë deri në orën 19:00 dhe nuk doli njeri të na informojë. Na thoshin që do dalë mjeku në orën 5 dhe nuk doli njeri”.

Frika dhe pasiguria për gjendjen e të afërmeve të tyre I detyron ata të rrinë pranë spitaleve. Edhe pse një pjesë e tyre pohojnë se e kanë vendosur një lloj komunikimi ditor me mjekun.

“Rëndë është, por më kanë dhënë një shpresë të vogël”.

Mungesa e një zinxhiri komunikimi, mes spitaleve Covid, familjarëve dhe pacientëve ka sjellë një gjendje ankthi në shoqëri.

“Jemi në rastin e 4 dhe jemi në një situatë tepër të rënduar qoftë nga pandemia, qoftë edhe nga ana psikologjike. Pothuajse dy rastet e fundit, pacientët janë shtruar në spital dhe janë vetëhedhur. I bie që ka nevojë edhe një terapi psikologjike nga presioni që krijohet herë pas here nga shoqëria, komuniteti, media”, tha psikologia Marsela Lekli.

Psikologët shprehen se duhet mirëinformim i familjarëve, por edhe i pacientëve. Ndërkohë që thelbësore është trajtimi psikologjik i të shtruarve për të shmangur fatalitetet.

“Përveç mjekut duhet edhe ndihma e një psikologu të herëpashershëm që të jetë me ta”.

Psikologia Lekli tregon se nga pandemia ka ndikuar në rëndimin psikologjik të qytetarëve.

Klan Plus