Në një intervistë për mediat serbe ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç u shpreh se nëse zbatohet ideja e korrigjimit të kufijve me Kosovën, Serbia merr më shumë se veriun e Mitrovicës.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, gjatë një interviste për Radio Televizionin e Vojvodinës shpjegoi se çfarë nënkupton ideja e korrigjimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë, në kuadër të dialogut në Bruksel.

Ai vuri në dukje se nuk është vetëm veriu i Kosovës që mbetet në Serbi, por edhe pjesë të tjera të Kosovës të banuara nga serbët. Daçic shtoi se çështje për t’u diskutuar në Bruksel është edhe statusi i pronës së Kishës Ortodokse Serbe.

Ministri serb, gjithashtu vlerësoi se në rast të ndonjë konflikti, një sulm i armatosur mund të fillonte në veri të Kosovës; por kjo do të ndikonte në rrugën evropiane të Serbisë, pasi “një konflikt me Kosovën do të nënkuptonte një konflikt me KFOR-in”. /abcnews.al