Për ministrin e Jashtëm serb Ivica Daçiç, nuk do të ketë rishikim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Kryediplomati serb reagoi në një intervistë për televizionin vendas PRVA, për debatin ku janë përfshirë drejtuesit e shtetit kosovar për çështjen e rishikimit të kufijve me Serbinë.

Ivica Daçiç, ministër i jashtëm i Serbisë:

Çfarë demarkacioni, me Kosovën nuk ka kufij. Kemi një vijë administrative që nga periudha e Jugosllavisë. Mendoj që hipokritët që sot flasin për parimin se nuk duhet të ketë ndryshime kufijsh ishin të parët që thyen kufijtë e Serbisë.

Daçiç tha se nuk mund të ketë diskutime për kufijtë, kur Kosova është krijuar si shtet mbi trillime. Lidhur me propozimet për referendume për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Daçiç tha se ato do të zhvillohen mbi bazën e arritjeve të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Për ecurinë e dialogut, kryediplomati serb njoftoi se prej shtatorit do të nisë të konsultohet edhe me Moskën, siç kishte rënë dakord edhe në takimin me homologun rus Lavrov në Beograd.

Megjithatë Daçiç, jo rrallë herë është nxituar me qëndrimet e tij. Pak ditë më parë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç pranoi se pavarësisht se Serbia nuk i njeh, kufijtë me Kosovën janë ekzistent dhe çështja e tyre duhet sqaruar një herë e mirë.

Tv Klan