Takimi i kryeministrit Edi Rama në Athinë me shqiptarët emigrantë që jetojnë atje mori një jehonë të shtuar kombëtare, por jo vetëm.

Stadiumi “Galatsi” i mbushur me shqipfolës të cilët dëgjuan fjalimin e Edi Ramës nuk u prit mirë nga disa zyrtarë të shteteve fqinje.

Përveç Greqisë, reagime të ashpra pati edhe nga shteti serb, ku zv/kryeministri i Serbisë takimin e quajti si një provokim dhe se qëllimet e vërteta të kryeministrit Edi Rama janë krijimi i një “Shqipërie të Madhe”.

Në një intervistë për Klan News diplomati dhe njëkohësisht ish-ambasadori Sokol Gjoka u shpreh se deklaratat e Aleksandër Vulin ishin të paargumentuara.

Sipas tij fjalë të tilla që dalin nga goja e një personi me një post të lartë ndikojnë në opinionin publik madje prishin raportet dypalëshe mes vendeve.

“Deklarata e zv/kryeministrit Vulin nuk ishte një deklaratë që i përshtatej zhvillimeve dhe ambientit për të cilën ai i referohej. Mbajtja ose takimi që mbajti kryeministri Rama me bashkatdhetarët tanë në Athinë është një e drejtë kushtetuese e çdo kryeministri të çdo vendi dhe ajo përfshihej në të gjitha normat dhe të drejtat ndërkombëtare ku interesi i vendit amë për diasporën është një interes i ligjshëm, një interes i pranueshëm dhe një interes i mbështetur nga kuadri ligjor ndërkombëtar kështu që në atë lloj eventi nuk ishte asgjë për t’u shqetësuar. Deklarimi i zv/kryeministrit Vulin për krijimin e një “Shqipërie të Madhe” aq më tepër nuk kishte asnjë lloj baze dhe asnjë lloj argumenti për t’u parashtruar, ndaj dhe ishte një veprim dhe nju deklarim i papërgjegjshëm do ta konsideroja unë. Por kur ky deklarim vihet në gojën e një zyrtari të lartë që është rasti i zv/kryeministrit atëherë pa dyshim që merret në konsideratë dhe duhet trajtuar me seriozitetin e duhur, sepse një deklarim i tillë ndikon në marrëdhëniet dypalëshe, për këtë arsye edhe ambasadori i Serbisë u thirr në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për të dhënë shpjegime të mëtejshme, por natyrisht për mendimin tim edhe për t’i tërhequr vëmendjen që deklarime të tilla janë të padobishme, nuk i shërbejnë marrëdhënieve dypalëshe madje i cenojnë ato,” përfundoi diplomati Gjoka.

/tvklan.al