Shqipëria do të rikthejë industrinë e prodhimit të armëve dhe municioneve. Ministria e Mbrojtjes ka hedhur për konsultim projektligjin që i hap rrugë krijimit të një shoqërie shtetërore, e cila do të kontrollojë prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake.

Kjo shoqëri shtetërore do të quhet KAYO sh.a dhe do të ketë të gjitha kapacitetet e nevojshme për të ndërvepruar në tregun e sotëm kombëtar dhe ndërkombëtar.

Sipas relacionit që e shoqëron këtë projektligj thuhet se vetëm përmes kësaj shoqërie mund të aktivizohen dhe funksionojnë mekanizmat e nevojshëm për rivitalizimin e kapaciteteve të  trashëguara të industrisë ushtarake, në kuadrin e dinamikave aktuale në ambientin ndërkombëtar strategjik të sigurisë, vendimet dhe standardet e NATO-s. 

Shqipëria ka trashëguar nga e kaluara një industri ushtarake e cila sot nuk ushtron veprimtarinë e saj dhe si rrjedhojë nuk mund t’i përgjigjet kërkesave të Forcave të Armatosura. 3 ndërmarrjet e prodhimit të armëve që ishin në Mjekës të Elbasanit, Gramsh dhe Poliçan prej vitesh nuk janë më funksionale, këto kërkesa dhe nevoja plotësohen në tregun ndërkombëtar.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë në shkurt të këtij viti, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkoi që Ballkani të prodhojë armë, thirrje e cila ishte edhe për Shqipërinë në mënyrë që të përballohet agrsioni rus.

Efektet fillestare të këtij projektligji në momentin e krijimit të kësaj shoqërie janë në vlerën e 300 milionë lekë dhe do të përballohen nga fondi rezervë.

Klan News