Danezët janë të vetmit në grup që kanë 0 pikë, belgët një hap larg kualifikimit

Në takimin e orës 18:00, Danimarka do të ndeshet me Belgjikën në Kopenhagen.

Kjo është sfida e dytë e Grupit B, ku “Djajtë e kuq” vijnë pas një fitoreje, kurse danezët pas një humbjeje, si edhe tronditjeje që pësuan nga problemet shëndetësore të Kristian Eriksenit.

Të dyja kombëtaret në respekt të mesfushorit do të ndalin lojën në minutën e 10. Sulmuesi Romelu Lukaku tha se ai bashkë me shokët do ta nxjerrin topin jashtë për t’i dhënë forcë shokut të tij tek Interi, e nga shkallët e stadiumit priten duartrokitje.

Sfida do të luhet në stadiumin “Parken”, pikërisht ku mesfushori danez humbi ndjenjat. Një fitore i jep kualifikimin Belgjikës në fazën pasardhëse.

“Djajtë e kuq” kanë fituar katër nga pesë takime e tyre në kampionatin evropian pa pësuar gol dhe gjithashtu kanë dhjetë fitore radhazi nën drejtimin e trajenrit Roberto Martinez.

Përfaqësuesja daneze është e vetmja kombëtare në grup që ka zero pikë.

Por skandinavët mund të përfitojnë nga mbështetja e tifozëve të tyre, duke qenë se luajnë në shtëpi.

Nga 15 ndeshje në total mes tyre, Danimarka ka fituar 6 herë, Belgjika 6 herë dhe 3 takime kanë përfunduar në barazim.

Por ata janë mundur në dy sfidat e luajtura në 2020 në Ligën e Kombeve.

Klan News