Ambientalistët në vend, pjesë të Aleancës kundër Importit të plehrave, ngrenë shqetësimin se ligji i miratuar nga Shqipëria, për importin e mbetjeve, lë shteg që këto të fundit të përdoren edhe për djegie, për qëllime industriale.

Për Televizionin Klan, Lavdosh Ferruni thotë se kleçka qëndron në nenin 48/1 të këtij ligji, ku në mënyrë të kamufluar, lejohet importi i mbetjeve për qëllime djegie për industri të tjera, veç asaj të riciklimit. Në argumentin që jep, Ferruni thotë se në pikën 3 të nenit 48, qeveria e ndalon importin e mbejtjeve me qëllim djegien thjesht për qëllim asgjësimi, por e lejon të digjen për qëllime industriale.

Një nga hartuesit e ligjit të mbetjeve, Eduard Shalsi, i hedh poshtë akuzat e ambientalistëve, ndonëse nuk jep detaje mbi këtë nen.

Ligji i miratuar me 63 vota të mazhorancës është në duart e Presidentit të Republikës. Para dekretimit, kreu i shtetit priti në një takim përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët i kërkuan ta kthejë atë në Kuvend dhe morën prej tij premtimin për respektim të Kushtetutës.

Në mesin e javës së ardhshme pritet që Presidenti i Republikës të shprehet nëse do e dekretojë apo do ta kthejë në Kuvend ligjin në fjalë.

Tv Klan