Të padenja për demokracinë i ka cilësuar Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato sulmet kundër SPAK-ut dhe kreut të këtij institucioni Altin Dumani, të bëra nga ish-Presidenti Ilir Meta ditët e fundit.

“Nuk mendoj se sulmet ndaj gjyqësorit janë të denja për demokracinë. Kemi folur kështu që dua ta lë me kaq“, tha ai.

Deklarata e Gonzatos vjen një ditë pas reagimit zyrtar që selia e BE-së, ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe ajo e Britanisë së madhe bënë, duke dënuar njëzëri sulmet e lëshuara kundër prokurorëve të SPAK-ut dhe drejtuesit të këtij institucioni, Altin Dumani.

Përfaqësitë diplomatike në Tiranë përmes reagimeve zyrtare mbështetën deklaratën e bërë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, duke dalë në mbrojtje të institucioneve të reja të drejtësisë dhe rrolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë ndaj të gjithë atyre që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.

Tre selitë më të rëndësishme diplomatike në vendin tonë u angazhuan për mbështetjen e tyre në ngritjen e kapaciteteve që SPAK-u të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Prej disa ditësh ish-Presidenti ilir Meta ka akuzuar drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani se është vënë në shërbim politik të kryeministrit Rama për ta çuar atë prapa hekurave.

Tv Klan