Votimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi nga Parlamenti i Kosovës, pas një bllokade 3-vjeçare, u përkthye si liberalizim i vizave për qytetarët kosovarë. Kjo edhe për faktin se aktorët kryesorë politikë në Kosovë e kanë cilësuar Demarkacionin si kushtin për dritën jeshile drejt Europës.

Mirëpo ambasadori gjerman në Kosovë, Kristian Held, shfryn euforinë e politikanëve vendas për heqjen e barrierave që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë. Mediat kosovare citojnë diplomatin gjerman të ketë thënë se Kosova ka ende kritere që duhen përmbushur, njëri prej tyre, më i rëndësishmi, lufta kundër korrupsionit.

Në të njejtën linjë ishte mesazhi i Brukselit të mërkurën në mbrëmje, ku thuhej ratifikimi i Demarkacionit është një prej kritereve kyçë, së bashku me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Për votimin e Demarkacionit foli edhe Presidenti Thaçi, i cili nga Uashingtoni tha se ky është një moment historik për Kosovën, që del kësisoj nga një ngërç 3-vjeçar, të cilin Thaçi e konsideroi humbje kohe.

Edhe ambasada e SHBA në Prishtinë reagoi këtë të enjte duke përshëndetur ratifikimin e marrëveshjes, e duke shprehur se do të vazhdojë të përkrahë përpjekjet e qytetarëve të Kosovës për arritjen e integrimit të plotë në familjen evropiane.

TV Klan