Ish-Prokurori i Përgjithshëm dënohet për fshehje të pasurisë

Dënohet me dy vite burg ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla. Vendimi i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit parashikon edhe mospjesëmarrjen e tij në asnjë funksion publik për 5 vjet dhe sekuestrimin e pasurisë së pajustifikuar.

Dënimi i dhënë për Llallën nga Gjykata është i njëjtën me atë që kërkoi SPAK, i cili ngriti akuzë kundër ish-Prokurorit të Përgjithshëm për fshehje të pasurisë. Sipas prokurorëve të, SPAK ka të paktën 3 episode të faktuara ku Llalla nuk ka deklaruar saktë pasurinë e tij.

Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.

Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 Mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të mosdeklarimit të shumave monetare në kufi.

Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në Nëntor 2017, kur u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.

Në Shkurt të vitit 2018, Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli non grata ish-Prokurorin e Përgjithshëm për shkak të përfshirjes së z.Llalla në mënyrë ‘domethënëse’ në korrupsion ose shkeljeve të mëdha të të drejtave të njeriut.

Përveç Llallës, vendimi sanksionon hyrjen në Amerikë edhe të familjarëve të tij.

Tv Klan