Diskutimi i marrëveshjes së huasë për 50 milionë Euro kredi nga banka gjermane KFV-ja për Bashkinë e Tiranës për transportin me autobuzë elektrike ka zhvendosur në parlament akuzat e opozitës për Veliajn.

Gazmend Bardhi: Ne do ta votojmë kundër këtë projektligj sepse ndyrshe nga ju që keni besim tek hajdutët si administratorë ne kemi besim se paratë e qytetarëve shqiptarë do të duhet të shkojnë për shërbime ndaj tyre. Vlera e kësaj kredie që i vihet në dispozicion Bashkisë së Tiranës drejtuar nga Erion Veliaj është ekzaktësisht e barabartë me vlerën që deri në këtë moment Prokuroria e Posaçme ka konstatuar se janë vjedhur nga Inceneratori i Tiranës.

Flamur Noka: Po të ishte një marrëveshje normale do të ishim të gjithë dakord sepse Shqipëria sigurisht pa marrëdhënie me partnerët, pa huamarrje huadhënie nuk mund të zhvillohet, por kur shikon që termin Bashkia e Tiranës apo Transporti i Gjelbër i Tiranës me thënë të drejtën të kap e qeshura se të kujtohen ato 1 milion pemët, inceneratori, 5D.

Jorida Tabaku: Sot kemi raste të tjera të abuzimit me fonde donatorësh dhe ne nuk duhet të lejojmë asesi që të vendosim në rrezik prej aferave korruptive pikërisht këto fonde, qoftë këto edhe për Bashkinë e Tiranës. Kjo është pikëpyejta e madhe që duhet të ngrejë ky parlament, sesi sillemi ne me  fondet e donatoreve, fondet shqiptare së pari, por edhe me ato të taksapaguesve europian dhe se sa e respektojmë procesin e tenderimit, prokurimeve, koncensioneve dhe çdo proces tjetër, se këtu nuk mund të flasim sikur kemi ardhur sot në pushtet. Këtu ka 11 vite që kjo ndodh vit pas viti.

Në mbrojtje të Veliajt u rreshtuan socialistët.

Blendi Klosi: Debati më i madh i ditës që keni për të djegur me molotov Bashkinë e Tiranës çdo ditë, debate më i madh që keni që përpiqeni të thërrisni çdo ditë mitingun më të madh që do të rrëzojë socialistët nga pushteti ja ku e ka përthyerjen e tij siç e ka çdo ditë në fakt me 30-40 veta të paguar që shkojnë atje vetëm për të hedhur dy shishe molotov.

Fatmir Xhafa: Ne duhet t’i shprehim gjithashtu vlerësimet më të mira ekipit drejtues dhe specialistëve dhe ekspertëve të Bashkisë së Tiranës që prej vitesh po merren me këtë projekt në përpjekje për gjetjen e mundësive më të mira për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve përmes transportit publik, për modernizimin e këtij shërbimi në interes të qytetarëve.

Pandeli Majko: Duhet të rigjykoni qëndrimin se këtu nuk bëhet fjalë për inceneratorin ku ishte bashkia me disa privat. Aty flisni sa të doni. Këtu bëhet fjalë për një marrëveshje me një nga struktuart më dinjitoze dhe të panegociueshme sa i përket akteve korruptive në nivel europian.

Toni Gogu: Ajo që mund të sillni është bashkëpunimi që ne të forcojmë organet e drejtësisë e cila nuk bëhet këtu, nuk bëni dot ju gjykata popullore. Hidhuni përpjetë sa të doni. Mos u merr me Erionin. Erioni ka punët e veta, ka udhëtimin e vet.   

Autobusët e rinj do të lëvizin me bateri dhe energji elektrike në tre linja transporti Unaza, Tirana e Re dhe Kombinat-Kinostudio.

Në total për projektin e Transportit të Gjelbër në Tiranë do të përdoren mbi 110 milion Euro.145 stacione do rimodelohen me brendin e ri, por dhe me tabelat elektronike me parashikueshmërinë e çdo autobusi që vjen në stacion, me një çip që do ketë çdo autobus për kilometrat që kanë bërë.

Klan News