Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama ka deklaruar se studentët kanë të drejtë të nxjerrin nga Parlamenti të gjithë deputetët.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Luan Rama tha se gjithë klasa politike është fajtore për situatën e studentëve. Ai bëri thirrje që Parlamenti sot të qëndrojë i mbledhur deri sa të plotësojë të gjitha kushtet për studentët, duke ndryshuar ligjin.

“Të gjithë ne që jemi këtu duhet të ndihemi të turpëruar, të ulim kokën. Pikërisht kjo është arsyeja që ne jemi sot në këtë sallë që t’i bëjmë thirrje vetes sonë që të ulim kokën dhe t’u kërkojmë atyre ndjesë, jo duke  u mburrur me numrin e kartonave apo me postet që mbajmë, por të mendojmë që janë janë djemë dhe vajza nënash që janë atje për shkak të përgjegjësisë tonë. Të të gjithëve ne.

Le t’i lëmë procedurat, le të rrijë Kuvendi i mbledhur sot dhe të legalizojmë që tani atë që Kryeministri thotë se është dakord. Të legalizojmë atë që kërkojnë studentët dhe të ecim më tej, ose studentët kanë të drejtën e Zotit të na nxjerrin të gjithëve jashtë, duke filluar nga ky Rama këtu (për Kryeministrin) deri tek Rama këtu (i referohet vetes)”,

u shpreh deputeti i LSI Luan Rama.

Ndërkohë, gjatë punimeve të seancës plenare, studentët kanë zhvendosur protestën përpara Parlamentit. 

/tvklan.al